Presidenti amerikan Barak Obama pritet të nënshkruajë të hënën një urdhër ekzekutiv, që do të hiqte kufizimet ndaj fondeve federale për kërkime shkencore në fushën e qelizave embrionale.
Një zyrtar i administratës, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Presidenti Obama do ta bëjë të njohur këtë vendim në një takim të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Përkrahësit thonë se kërkimet për qeliza embrionale mund të përdoren për përparimin e mjekësisë, në trajtimin e sëmundjeve, si Alxajmeri, Parkinsoni, apo për kurimin e dëmtimeve në shtyllën kurrizore.
Kritikët thonë se përdorimi i qelizave embrionale të njeriut për kërkime është një akt i pamoralshëm, që nuk mund të justifikohet, edhe pse rezultati që ai arrin është pozitiv. Ky veprim ka krijuar debate, sepse embrionet njerëzore shkatërrohen, me qëllim që të merren qelizat e tyre për eksperimentim.
Qelizat embrionale mund të zhvillohen në çfarëdo lloj qelize të trupit të njeriut.
Në gusht të vitit 2001, presidenti i atëhershëm Xhorxh Bush e ndaloi fondin qeveritar për kërkime në fushën e qelizave embrionale. Ai po ashtu i vuri veton një përpjekjeje në Kongres për ta ndryshuar vendimin e Presidentit.//lk