Një shkencëtar në Teksas thotë se ka gjetur sekretin e
violinave Stradivari dhe violinave të tjera të çmuara të krijuara 300 vjet më
parë në Italinë e veriut. Ai mendon se i
gjithë sekreti është te trajtimi i drurit me disa lëndë të caktuara kimike por
disa dashamirë të muzikës e kanë të vështirë ta besojnë.
Profesori në pension i Universitetit A&M të Teksasit, Xhozef Nohvari ()
kishte dëshirë të mësonte violinën kur ishte fëmijë por Lufta e Dytë Botërore
dhe ardhja në fuqi e komunistëve në Hungari, ku ai banonte, e bënë të
parealizueshme ëndrrën e tij. Pasi iku nga Hungaria ai studioi kimi dhe mësoi
të bënte vetë violina.
Duke analizuar violinat e Italisë veriore në vitet 60, ai gjeti se vetëm
instrumente të tillë si ato të Stradivarit nga Kremona dhe disa të tjera të
bëra në Venecia i kishin shpëtuar dëmtimit nga krimbi i drurit.
"Përfundimi që arrita ishte se në këta dy qytete dikush e trajtonte drurin
me lëndë të caktuara kimike."
Nohvari filloi të testonte kimikate të ndryshme për të parë nëse ato ndikonin
mbi tingullin e violinave që ai bënte vetë në punishten prapa shtëpisë së tij
në Teksas. Por zbulimi i tij i më i madh erdhi pas bashkëpunimit të tij me
kolegët e Departamentit të Gjeologjisë në Universitetin A & M të Teksasit.
Professor Rej Gillmet përdori për analiza një aparaturë të
teknologjisë së lartë e cila testonte përbërjen kimike të substancave të
ndryshme.
"Gjatë orëve kur aparatura nuk ishte në përdorim, gjatë natës apo
fundjavave, mora leje nga departamenti për ta përdorur atë për zgjidhjen e
këtij problemi shumë interesant."
Ai merrte pjesë shumë të vogla druri, të rëna nga violinat Stradivari kur ato
riparoheshin, i digjte në laborator dhe pastaj analizonte hirin në aparat, duke
zbuluar praninë e kimikateve si squfur, klor dhe boron.
"Këto lëndë nuk janë të pranishme në asnjë dru natyror dhe janë mjaft të
dallueshme nga druri natyror."
Lëndë të tilla përdoren rëndom si kimikate për mbrojtjen e drurit dhe kjo e
përforcoi teorinë e Profesor Nohvarit se duke trajtuar kimikisht drurin,
mjeshtrat e vjetër italianë kishin prodhuar pa e ditur një instrument më të
mirë.
Megjithëse shumë muzikantë e përshëndetën këtë studim, thotë Nohvarti,
koleksionistët e instrumenteve antike nuk ishin aspak të kënaqur.
"Është më e lehtë të shesësh një violinë Stradivari për 5 milion dollarë
kur i thua blerësit se ajo është produkt i një farë frymëzimi misterioz apo
hyjnor."
Megjithëse studimi i tij ka marrë lëvdata në shkallë ndërkombëtare, bota e
muzikës nuk ka treguar shumë entusiazëm, thotë profesori.
"Mund të them se me një ose dy përjashtime, thuajse e gjithë industria u
shpreh shumë negativisht ndaj një shkencëtari si unë që përpiqej të bënte një
studim të tillë."
Por Profesor Nohvari ka gjetur përkrahje entusiate nga shumë violinistë si
pedagogu i muzikës Brajën Ljuis i Universitetit të Teksasit në Ostin. Ljuis
pranoi të vinte në provë një prej violinave të krijuara nga Nohvari në
punishten e tij.
"Ka një tingull të ëmbël dhe më pëlqen," u shpreh ai pasi e provoi
violinën.
Por Ljuis nuk mund të thotë se kjo violinë e re teksane është po aq e mirë sa
një violinë Stradivari sepse një instrument duhet të përdoret për shumë e shumë
vite për të fituat potencialin e tij të plotë.
"Do të ishte shumë interesante të krahasohej se si do të tingëllonte një nga
violinat e tij pasi të jetë përdorur 30 mijë orë sepse të gjitha violinat
Stradivari janë përdorur për një kohë mjaft të gjatë deri sa janë staxhionuar".
Violinat e bëra nga Nohvarti dhe të tjerët duke përdorur teknikën e tij mund të
arrijnë një ditë tonalitetin ideal si ato të Stradivarit dhe të tregojnë se nga
kimia mund të lindë muzikë e famshme. //ad//