Autoritetet thonë se ligji për duhanin ekziston, megjithatë zbatimi i tij në praktikë ka hasur në vështirësi. Ministria e Shëndetësisë tashmë i ka propozuar Parlamentit të Kosovës disa ndryshime në ligj, në mënyrë që ai të jetë i zbatueshëm.
Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, thotë se institucionet e Kosovës deri tani kanë qenë më tolerante ndaj këtij ligji, por pret që së shpejti parlamenti t’i bëjë ndryshimet e nevojshme.
“Ne kemi parasysh gjendjen reale në vend, si ekomomike, politike, një vend I cili ka dal nga lufta. Nuk jemi të interesuar që njerëzit të dënohen, jemi të interesuar që ky të jetë një proces I edukimit, që sa më pak njerëz ta përdorin duhanin. Në ligj ka pas nevojë që të jepen qartësi sa I përket disa pjesëve të shenjëzimit në paketime dhe ajo çështje është kryer dhe besoj se amandamentimi do të bëhet këto ditë”, tha ministri Gashi.
Parlamenti i Kosovës kishte miratuar ligjin për duhanin qysh në vitin 2005, mirëpo ai nuk ishte nënshkruar nga Shefi i UNMIK-ut deri në vitin 2007.
Gjylnaze Syla, anëtare e Komisionit për Shëndetësi në Parlamentin e Kosovës thotë se boshllëku i krijuar me mos nënshkrimin e ligjit është një ndër faktorët që ka ndikuar në moszbatimin e tërësishëm të tij.
“Është shqetësuese se duhani pihet edhe në sholla, nëpër institucionet e arsimit, shëndetësore, në institucione të tjera publike, duke përfshirë edhe vet kuvendin, prandaj, hartimi i një kornize ligjore e cila do të gjente zbatimin e plotë është shumë e rëndësishme,” tha zonja Syla.
“Ne kemi një argumentim të plotë shkencor që duhani është shumë i dëmshëm, po ashtu ekzistojnë të dhëna që industria e duhanit si cak i ka të rinjtë dhe derisa industria e duhanit harxhon miliarda që ta rrisë numrin e duhanpirësve, institucionet publike kanë buxhete modeste, në të shumtën e rasteve nuk kanë fare”, tha ministri Gashi.
Autoritetet në Kosovë thonë se për zbatimin e ligjit për duhanin do të kihen parasysh edhe përvojat e vendeve të zhvilluara por edhe atyre në zhvillim.
Sipas hulumtimeve, nga duhani çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz, ndërsa në Kosovë, çdo i pesti person llogaritet të jetë duhanpirës. //mm