Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, thotë se diplomatë të lartë amerikanë dhe iranianë mbajtën një takim të shkurtër, të paplanifikuar në Hagë, krahas një konference ndërkombëtare për Afganistanin.
Zonja Klinton tha sot se i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Afganistanin, Riçard Hollbruk, pati “një takim të shkurtër dhe të përzemërt me kryetarin e delegacionit iranian”, zv/ministrin e Jashtëm, Mohamad Mehdi Akundzadeh.
Sekretarja Klinton tha se ata nuk diskutuan “asgjë substanciale”, por ranë dakord të qendrojnë në kontakt.
Kontaktet e nivelit të lartë mes dy vendeve kanë qënë tepër të ralla. Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur marrëdhënie diplomatike për rreth 30 vjet.
Zoti Hollbruk është i dërguari amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin. Ai foli me diplomatin iranian gjatë pushimeve të konferencës së sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara për sigurinë dhe rindërtimin në Afganistan.
Të dy vendet kanë thënë se ndeshin në kërcënime të ngjashme në Afganistan, përfshirë dhunën ekstremiste dhe tregtinë e narkotikëve. (ze)