Yjet e Hollivudit, supermodelet apo yjet e muzikës zakonisht janë në
gjendje të tërheqin vemendjen e medias kur promovojnë çështje humanitare ose
mbrojtjen e mjedisit. Angelina Jolie, Bono, Leonardo Di Caprio janë vetëm disa
nga njerëzit e shquar që e bëjnë këtë por si ata ka edhe shumë të tjerë. Le t’i hedhim tani një vështrim këtyre
diplomatëve me fuqi të madhe joshëse dhe kush përfiton nga këto aktivitete të
tyre.
Për vite me radhë, këngëtarë dhe kantautorë të shumtë mblidhen së bashku për të
tërhequr vemendjen e botës tek uria dhe varfëria në Afrikë.
Kënga e famshme e vitit 1985 'We Are The World' u bë hiti numër 1 por ajo hapi
gjithashtu një debat mbi rolin humanitar të njerëzve të shquar dhe nëse paratë
që ata grumbullonin u shkonin njerëzve që kishin më tepër nevojë.
Peter Kessler i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, thotë
se këta njerëz të shquar që veprojnë si diplomatë të vërtetë, ndihmojnë në
sensibilizimin e çështjeve të tilla kur këtë nuk e bëjnë dot fushtatat
politike.
"Siç e pamë edhe me Princeshën Diana, kur ajo kapi dorën e një viktime me
sidë, ajo përhapi mesazhin se këta njerëz nuk përbëjnë rrezik por ata vetë janë
të rrezikuar. Sejcili mund t’u shtrijë dorën atyre pa qenë nevoja të jetë njeri
i shquar."
Aktori Leonardo di Caprio ka për zemër problemet e ndryshimit të klimës.
Dokumentari i tij “Ora e 11”, i dha atij atë që kërkonte – shansin për të
gjetur qëllimin e vet në jetë.
"Për mua, fakti që shikoj se njerëzit po e kuptojnë këtë çështje, është në
vetvete inkurajues." - thotë ai
Baronesha Caroline Cox, anëtare e Dhomës së Lordëve, është një ndër humanitaret
më të njohura të Britanisë. Për dekada
me radhë ajo ka ndërmarrë udhëtime për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve të
varfër dhe të shtypur në vende si Birmania, Uganda dhe Timori Lindor. Ajo thotë
se e di me saktësi se si është përdorur çdo cent në buxhetin e organizatës së
saj bamirëse por shton se disa aktivitete të tjera të kësaj natyre shtrojnë
mjaft pikëpyetje.
"Do të doja të kishte pak më tepër transparencë se ku shkon një pjesë e
mirë e parave dhe ç’pjesë e tyre i shkon atij fëmijës që po vdes. Unë e di nga
organizata jonë e vogël se sa shumë mund të bëjmë me fare pak para. Prandaj do
të desha të dija se ku shkojnë fondet e mëdha që grumbullohen për çështje
humanitare."
Vitin e kaluar, aktori Ben Afflek bëri një film për Kombet e Bashkuara ku flet
mbi krizën në Republikën Demokratike të Kongos.
Ai bindi grupin Rolling Stones të dhuronte të drejtat e këngës 'Gimme Shelter,”
“Më jep strehë”.
Aktorja Mia Farrow është bërë diplomate karriere e çështjeve humanitare. Ajo ka
qenë mbi 10 herë në kampet e refugjatëve në Darfur dhe në vitin 2007 i tha
Zërit të Amerikës se gjendja atje është e dëshpëruar.
"Këto kampe janë vatra varfërie, nervozizmi, zemërimi dhe sëmundjesh."
Farrow arriti të bindë regjisorin Stephen Spielberg të mos e pranonte ofertën
për t’u bërë drejtor artistik i Lojrave Olimpike të Pekinit. Sipas saj, Kina
financonte luftën civile të Sudanit në shkëmbim të naftës.
"Mendoj se kur njerëzit e shquar angazhohen në fusha ku ka nevoja të
mëdha, kjo sjell një avantazh të madh sepse i vë këto nevoja dhe këta njerëz në
axhendën e interesimit ndërkombëtar. Dhe kjo është një gjë e mirë. "
Ka kaluar një çerek shekulli nga kënga 'We Are The World,'dhe shumë njerëz të shquar vazhdojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë, në këtë
botë ku sipas UNICEF-it, varfëria ende shkakton vdekjen e 30 mijë fëmijëve në
ditë.//mm//