OBSH: Obeziteti në botë vazhdon të jetë drejt rritjes

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se obeziteti në botë vazhdon të jetë drejt rritjes, një prirje që ajo e quan "globezitet".

Obeziteti ka bërë që njerëzit në botë të shpenzojnë shumë për t'u dobësuar. 360 miliard dollarë shpenzohen çdo vit në botë për metodat e ndryshme të dobësimit si dieta ushqimore, ilaçe apo ushtrime fizike.

Megjithë përpjekjet e zyrtarëve të shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, amerikanët vazhdojnë të shëndoshen. Dy të tretat e amerikanëve të rritur janë ose obezë ose mbi peshë. Disa thonë se obeziteti në Amerikë është si një farë epidemie që është përhapur pa u vënë re gjatë viteve.

Kohët e fundit, shkencëtarët në Universitetin e Indianës dhe të Cincinatit thonë se kanë gjetur një zgjidhje, e cila nuk është aq drastike sa operacionet për humbjen e peshës si zvogëlimi i stomakut.

Fjala është për një ilaç i cili ul oreksin dhe përmirëson metabolizmin por që deri tani është provuar me sukses vetëm te minjtë. Hapi tjetër është që ilaçi të provohet edhe te njerëzit. (ze)