Nju Jork: Gati sesioni vjetor i Asamblesë së Përgjithëshme

Udhëheqës botërorë po mblidhen në Nju Jork për sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara. Më shumë se 80 kryetarë shtetesh pritet të marrin pjesë sot në takimin e nivelit të lartë mbi ndryshimet klimatike. Në takimin e organizuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, pjesmarrësit pritet të bëjnë përparim mbi një traktat për klimën globale që qeveritë kanë në plan t’a nënshkruajnë gjatë një takimi në dhjetor në Danimarkë.

Në pushimet mes seancave të takimit mbi klimën globale sot në New Jork, Presidenti amerikan Barak Obama pritet të kryesojë një takim tri palësh me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidentin palestinez Mahmud Abas. Ky do të jetë takimi i parë midis udhëheqësve izraelitë e palestinezë që kur zoti Netanjahu erdhi në postin e kryeministrit në muajin mars.

Dje, sekretari i pëgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun u takua me presidentin pakistanez Asif Ali Zardari për të diskutuar një numër çështjesh, përfshi gjendjen humanitare në veri-perëndim të Pakistanit dhe ecurinë e hetimeve mbi vrasjen e ish kryeministres Benazir Buto./a/