Virusi H1N1 u merr jetën 4 mijë amerikanëve

Zyrtarë amerikanë të shëndetësisë thonë se të paktën 4 mijë njerëz në SHBA kanë vdekur nga virusi i gripit H1N1, që nga koha kur ai filloi, në muajin prill. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se numri i vdekjeve është rillogaritur, duke përfshirë edhe vdekjet nga komplikacione e gripit, si pneumonia dhe infeksionet bakteriale.

Vlerësime të mëparshme të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve patën dhënë shifrën e 1 mijë të vdekurve nga epidemia. Qendra thotë se agjencia e ka rivlerësuar numrin e vdekjeve nga virusi H1N1 në përpjekje për ta krahasuar atë më saktësisht me rreth 36 mijë vdekje që ndodhin çdo vit nga gripi sezonal. Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të njohur se mbi 6 mijë njerëz në të gjithë botën kanë vdekur nga virusi H1N1 që nga muaji prill, 4 mijë e 400 prej tyre në rajonin e Amerikës Latine.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se duke filluar nga 1 nëntori, rreth 200 vende dhe territore kanë raportuar rreth gjysëm milionë raste të konfirmuara të gripit të derrave. Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se numri aktual i rasteve të infektimit është ndoshta më i lartë. //rd//