Fermerët amerikanë në debatin mbi ligjin për klimën

Shumë shkencëtarë thonë se si rezultat i ngrohjes globale, fermerët në të gjithë botën do të ndeshen me vështirësi nga luhatje ekstreme të motit që shoqërohen me përmbytje apo thatësira. Por në Shtetet e Bashkuara, organizata më e madhe në vend që përfaqëson interesat e fermerëve i është kundërvënë projekt-ligjit për ndryshimet klimatike që po debatohet në Kongresin amerikan.

Perry Bowen kultivon 400 hektarë tokë në një zonë 2 orë larg Uashingtonit. Si shumë fermerë amerikanë ai e vë në pikëpyetje teorinë se aktiviteti njerëzor ka shkaktuar ndryshime klimatike.

“Është e vërtetë që kemi ngrohje globale – ky është fakt shkencor. Por shkaqet e fenomenit janë të diskutueshme.”

Sipas tij, ngrohja globale është pjesë e një cikli natyror. Ai nuk beson se ndryshimet klimatike janë të rrezikshme, por i trembet ligjit për këto ndryshime:

“Do të rriten çmimet e inputeve bujqësore, plehrave, karburantit, kimikateve. Pra çdo gjë do të kushtojë më shumë.”

Kjo rritje do të rezultojë pasi ligji parashikon rritjen e kostos së karburantit dhe qymyrgurit për të ulur sasinë e gazit të çliruar. Bujqësia kërkon sasi të madhe lënde djegëse: naftë për traktorët e autokombajnat, energji elektrike për makineritë. Edhe plehu kimik prodhohet me gaz natyror.

Organizata më e madhe e fermerëve në Shtetet e Bashkuara, Federata Amerikane e Fermerëve po zhvillon lobizëm në Kongres për të penguar miratimin e ligjit. Presidenti i Federatës Bob Stallman thotë se rritja e kostos do t’ua bëjë më të vështirë biznesin fermerëve:

“Fitimet aktualisht janë shumë të vogla dhe çdo kosto shtesë do të duhet të përballohet nga fermeri, pasi nuk mund të shtojmë më tepër çmimet e produkteve.”

Fermerë të tjerë mendojnë ndryshe. Po ashtu edhe Departamenti i Bujqësisë. Analiza e këtij departamenti tregon se ligji për ndryshimet klimatike do të ulte të ardhurat e fermerëve afro 1 për qind në periudhën afat-shkurtër dhe rreth 7 për qind në dekadat në vijim.

Roger Johnson është president i Bashkimit Kombëtar të Fermerëve, një organizatë e fermerëve të vegjël që e mbështesin këtë ligj:

“Unë jam marrë me bujqësi gjatë pjesës më të madhe të jetës. Shumë shpesh kam hasur në luhatje të kostos deri në 7 për qind. Ideja se një rritje prej 1 për qind tani apo një rritje prej 7 për qind pas 25 vjetësh do ta shkatërrojë sektorin bujqësor, është në kundërshtim me realitetin.”

Departamenti amerikan i Bujqësisë vë në dukje se ligji u jep fermerëve mundësi të përballojnë më së miri humbjet financiare. Zoti Johnson thotë se ligji për ndryshimet klimatike nuk do t’i dëmtojë fermerët aq shumë sa do të dëmtoheshin nga ndryshimet klimatike që sjellin thatësirë, përmbytje dhe kushte të tjera ekstreme.

“Të gjitha këto fenomene do ta dëmtonin prodhimin. Këtë e kemi të qartë. Nëse do të diskutojmë rritje kostoje, të flasim për skenarin kur bën mbjellje dhe nuk merr asnjë prodhim. E kam parë një skenar të tillë. E kam përjetuar në fermën time. Ekspertët thonë se këto probleme do të bëhen edhe më të shpeshta me kalimin e viteve.”

Zoti Johnson thotë se fermerët duhet të shqetësohen dhe të mos u lënë një trashëgimi të tillë brezave të ardhshëm, ndërkohë që Kongresi dhe negociatorët në Kopenhagë shqyrtojnë masa kundër ngrohjes globale. //ad//