Pakistan: 12 të vrarë nga sulme me avionë të dyshuar amerikanë

Në Pakistan, zyrtarët e zbulimit thonë se të paktën 12 veta u vranë nga dy sulme të dyshuara me avionë amerikanë pa pilot afër kufirit me Afganistanin.

Zyrtarët thanë se 2 raketat goditën sot një kompleks të dyshuar militant në rajonin fisnor të Vaziristanit verior, duke vrarë 7 veta.

Pak më vonë, zyrtarët thanë se 5 veta u vranë nga një sulm tjetër në atë kompleks, ndërsa njerëzit përpiqeshin të nxirrnin viktimat dhe të mbijetuarit nga rrënojat e shkaktuara nga sulmi i parë. Militantët në zonat fisnore shpesh rrethojnë objektivat e sulmeve me raketa për të kërkuar për të mbijetuarit.

Ndërkohë, policia pakistaneze tha se nga një sulm vetëvrasës në Kashmir u vranë të paktën 4 ushtarë dhe u plagosën mbi 10 të tjerë. //kk//