Qeveria afgane thotë se në një sulm ajror të NATO-s janë vrarë 27 civilë në Afganistanin jugor. Këshilli i Ministrave publikoi sot një deklaratë, ku dënohej si "i pajustifikueshëm" incidenti në provincën e Uruzganit.
Fillimisht u tha se u vranë 33 persona, por më pas zyrtarët e ulën numrin në 27 vetë. NATO tha se sulmi ajror kishte në objektiv kryengritës, të cilët mendohet se po shkonin për të sulmuar trupat aleate. Në një deklaratë të NATO-s thuhej se pas sulmit, forcat e NATO-s gjetën viktima gra dhe fëmijë dhe i transportuan ata tek objektet mjekësore.
Ndërkohë, në Afganistanin lindor, policia tha se
nga një sulm vetëvrasës gjetën vdekjen 14 vetë, përfshi një udhëheqës
fisnor me ndikim. Policia në provincën Nangarhar tha se autori i sulmit
kishte në shënjestër një takim me krerët e fiseve.