Amnesty International për Shqipërinë - 2001-05-21

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u bëri thirrje autoriteteve të Shqipërisë që të zbatojnë ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare të cilat ndalojnë përdorimin e torturës dhe të keqtrajtimit nga policia.

Në një raport të saj, Amnesty International thotë se torturat dhe keqtrajtimi nga policia vazhdojnë megjithëse sundimi komunist nuk ekziston më. Aty thuhet se shkeljet e të drejtave të njeriut kanë vazhduar si gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike ashtu edhe gjatë asaj të Partisë Socialiste.

Amnesty International thotë se tani që nuk ka mbetur vetëm një muaj deri në zgjedhje, çështjet e të drejtave të njeriut nuk duhet të shfrytëzohen për qëllime politike. Në raport thuhet se cilado parti që të fitojë zgjedhjet do t’i duhet të garantojë se askush nuk do të keqtrajtohet gjatë ndalimit nga policia.

Torturat dhe keqtrajtimi, theksohet në raport, përdoren më shpesh gjatë arrestimit dhe mbajtjes së personave në polici, megjithëse ka njoftime që flasin edhe për keqtrajtimin e të burgosurve. Avokatët dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë protestuar në mënyrë të përsëritur kundër shkeljes së dispozitave ligjore lidhur me arrestimin dhe ndalimin nga forcat policore dhe theksojnë se shkelje të tilla çojnë në përdorimin e torturave dhe të keqtrajtimit. Torturat dhe keqtrajtimi përdorën edhe në mënyrë arbitrare, thjeshtë si mjet kërcënimi, poshtrimi dhe hakmarrjeje.

Amnesty International thekson se dy organizata jo qeveritare shqiptare në fushën e të drejtave të fëmijëve akuzojnë forcat policore se keqtrajtojnë fizikisht shpesh herë edhe fëmijët gjatë arrestimit ose mbajtjes së tyre nën arrest. Megjithëse numri i rasteve të tilla, në të cilat mbështeten këto akuza mund të mos jetë i madh, fakti se akuza për keqtrajtim, disa shumë serioze, janë bërë nga të gjithë fëmijët e intervistuar gjatë një kontrolli në rajone policie në gjashtë distrike të ndryshme në Shqipëri, përfshirë fëmijët e ndaluar në Tiranë, ka ngjallur shqetësime serioze.

Të gjithë vëzhguesit, thuhet në vazhdim të raportit, janë të një mendimi se përgatitja profesionale dhe informimi në fushën e të drejtave të njeriut luajnë rol kyç në përpjekjet për ndalimin e torturave dhe formave të tjera të keqtrajtimit. Këtyre dy aspekteve u kushtohet një vëmedje e rëndësishme në programet e Akademisë së Rendit Publik në Tiranë.

Në vazhdim të raportit thuhet se kontrolli i qeverisë në disa pjesë të vendit ende nuk është i sigurt dhe se rendi e qetësia si edhe përgjegjshmëria shtetërore ende nuk kanë lëshuar rrënjë të themelta. Periudha menjëherë pas shëmbjes së komunizmit u karakterizua nga trazira të mëdha dhe humbja e autoritetet shtetëror. Kjo u pasua nga një periudhë edhe më tronditëse në vitin 1997, ku pas falimentimit të skemave piramidale, rendi në vend u prish përsëri. Depot e armëve u plaçkitën, duke çuar në një përhapje të pakontrolluar armësh, pasojat e së cilës vazhjdojnë të ndihen edhe sot. Rritja e krimit të organizar dhe trafiku i drogës, imigrantëve të paligjshëm, grave dhe i fëmijëve kanë krijuar vështërsi të mëdha për forcat e rendit.

Nga ana tjetër, thuhet se forcave policore në Shqipëri u mungon përgatitja e nevojshme dhe se ato nuk janë të pajisura si duhet, por megjithatë atyre u kërkohet të ruajnë rendin e qetësinë në një vend ku mbajtja e paligjshme armëve është bërë dukuri e zakonshme dhe ku krimi është gjithnjë më i organizuar dhe financiarisht më i fuqishëm. Organizata Amnesty International shpreh shqetësimin se Shqipëria nuk ka përfillur as detyrimet e saj për t’u paraqitur raporte organizmave të OKB-së të ngarkuara me vëzhgimin dhe zbatimin e traktateve që ajo ka nënshkruar.

Megjithatë, në raportin e organizatës Amnesty Inernational thuhet se gjatë 10 viteve të fundit në Shqipëri janë vënë re një numër arritjesh, përfshirë ato në fushën e të drejtave të njeriut. Shqipëria ka nënshkruar një numër konventash ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, të drejtat civile, të drejtat e fëmijëve, mbrojtjen e lirive si edhe konventa kundër torturave dhe trajtimit apo ndëshkimit çnjerëzor. Një hap tjetër është rritja e shoqërisë civile në këtë vend, përfshirë krijimin e një numri organizatash jo qeveritare të specializuara në shumë fusha, përfshirë atë të të drejtave të njeriut.