Bush niset të mërkurën për Evropë - 2001-07-13

Presidenti Bush niset të mërkurën për një udhëtim 6 ditësh në Evropë për të marrë pjesë në takimin e tetë vendeve më të industrializuar në Gjenovë në Italisë. Gjatë këtij udhëtimi ai do të vizitojë edhe Vatikanin dhe Kosovën. Presidenti Bush do ta fillojë turneun me një vizitë në Britani. “Presidenti është i ftuar për të ngrënë drekë me Mbretëreshën Elizabet dhe Princin Filip në Pallatin Buckingham si dhe do të zhvillojë takime me kryeministrin Blair”- tha këshilltarja për çështje të sigurimit kombëtar Condoleeza Rice.

Ajo i informoi gazetarët në Shtëpinë e Bardhë mbi udhëtimin e presidentit, duke thënë se presidenti Bush dhe kryeministri Blair do të diskutojnë ndër të tjera edhe mbi Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe sigurinë në Evropë. Zonja Rice thotë se tema kryesore e takimit do të jetë pakësimi i borxhit si dhe do të theksohet rritja ekonomike dhe tregtia e lirë. “Në këtë takim do të shpallet ngritja e Fondit Botëror të SIDË-s që përqëndrohet te masat parandaluese paralelisht me vazhdimin e mjekimit dhe trajtimit mjeksor” tha zonja Rice. Gjatë ditëve që vazhdon takimi, presidenti Bush do të zhvillojë bisedime edhe me presidentin francez Shirak, kancelarin gjerman Shroeder, kryeministrin kanadez Kretien si dhe presidentin rus Putin. Në këto diskutime do të preken disa tema delikate si Çeçenia, liria e shtypit dhe marrëdhëniet e Rusisë me fqinjët e saj. Në Romë, presidenti Bush ka në plan të takohet me presidentin italian Ciampi dhe kryeministrin Berlusconi. Gjatë vizitës në Vatikan presidenti do të zhvillojë një takim të shumë-pritur me Papa Gjon Palin e Dytë - një nga mendimtarët dhe udhëheqësit e mëdhenj moral dhe fetarë të kohës sonë.Presidenti e përfundon udhëtimin e tij me një vizitë në kampin Bondsteel në Kosovë ku do të takohet me trupat amerikane që shërbejnë në Ballkan: “Ai do të shprehë atje mirënjohjen e tij për forcat amerikane, si dhe angazhimin për të punuar me aleatët tanë në të mirë të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon” tha zonja Rice.

Shtëpia e Bardhë thotë se, nëse ka plane të tjera për udhëtime, do të jepet njoftim në kohën e duhur.