4700 figurojnë të humbur - 2001-09-13

Moti i keq po i ngadalëson përpjekjet për kërkimin e viktimave nën rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Ekipet e shpëtimit shpresonin që shirat do të ndihmonin në stabilizimin e hirit dhe të mbeturinave në zonën e Manhatanit, duke e bërë më të lehtë punën për kërkimin e mëse 4 mijë e 700 vetave që rezultojnë të zhdukur. Por stuhia që shoqëroi shirat ngriti re të dëndura pluhuri në vendin ku më parë ndodheshin dy kullat 110 katëshe. Zyrtarët e Nju Jorkut thonë se deri tani janë gjetur rreth 200 trupa. Në vendin e kërkimit janë sjellë 30 mijë thasë plastikë, të cilat do të përdoren për të vendosur pjesët e trupave pa jetë, për t’i identifikuar më pas me anë të ADN-së së personave që rezultojnë të zhdukur. Mijra njerëz kanë shkuar në qendrat e emergjencës për të raportuar personat e zhdukur. Të tjerë po interesohen pranë spitaleve me shpresë se mund të gjejnë pjestarët e familjeve. Sot pasdite, pritet që stuhitë e shiut të zhvendosen në rajonin e Uashingtonit, ku ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin në ndërtesën e Pentagonit. Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thonë se 126 persona ende figurojnë të zhdukur dhe mendohet se kanë vdekur si pasojë e goditjes dhe e zjarrit që shkatërroi njërin krah të ndërtesës më të madhe qeveritare në botë. Zyrtarët mendojnë se 190 veta kanë gjetur vdekjen, duke përfshirë edhe 64 personat që ndodheshin në avion