“Trupat e NATO-s së bashku hynë në Kosovë dhe së bashku do të largohen” - 2001-10-19

Komandanti i forcave paqërujatëse në Kosovë gjenerali francez Marcel Valentin tha sot në Prishtinë se trupat e NATO-s kanë ardhur së bashku në Kosovë dhe së bashku do të largohen prej këndej. Ai i bëri këto komente në një takim me gazetarë gjatë së cilës shpjegoi detyrat themelore të forcave paqëruajtëse në periudhën së përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit.

Duke vecuar në radhë të parë krijimin e kushteve që zgjedhjet të jenë të suksesshme ai u bëri thirrje të gjitha komuniteteve që të votojnë dhe të punojnë për një fushatë të padhunshme. “Kjo është një kohë histroike për Kosovën dhe fati i Kosovës tash është në duart e qytetarëve të saj”, tha ai duke nënvizuar se gjatë dy viteve të fundit UNMIK-u dhe KFOR-I kanë punuar për të vënë themelet mbi të cilat qytetarët e Kosovës mund të ndërtojnë një shoqëri të lirë dhe përparimtare. Gjenerali francez tha ndërkaq se do të angazhohet për kthimin e të gjithë personave të zhvendosur ndërsa paralajmëroi se KFOR-i do të vazhdojë luftën e tij të ashpër kundër cdo forme të ekstremizmit. Toleranca, mirëkuptimi dhe falja janë me rëndësi thelbësore për të siguruar që qytetarët e Kosovës do të fitojnë në këtë luftë tha ai për të shtuar se kjo do të jetë një nga sfidat më të mëdha që kërkon përgjegjësi, angazhim por edhe guxim.

Gjenerali Valentin tha ndërkaq se Mitrovica është pjesë e Kosovës edhe në bazë të dokumentave ndërkombëtare dhe KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi shumë të ndjeshëm që sipas tij është më shumë i natyrës politike e ekonomike sesa asaj ushtarake. Mirëpo gjenerali Valentin tërhoqi vërejtjen se “faktor kryesor në cështjen e Mitrovicës është veprimi i autoriteteve të Beogradit dhe posaçërisht zëvendëkryeministrit serb Nebojsha Coviq, meqë ai është i ngarkuar nga qeveria e tij që të punojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje me përfaqësuesit e UNMIK-ut”.

Komandanti i KFOR-it ndërkaq mohoi zërat për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova për shkak të situtës së re të krijuar pas sulmeve terroriste në New York dhe Washington. ”Ne qëndrojmë pas motos së shprehur nga përgjegjësit amerikan se trupat e NATO-s kanë hyrë së bashku në Kosovë dhë së bashku do të largohen prej këndej”.