Marinsat sulmojnë - 2001-11-27

Helikopterët amerikanë të marinës sulmuan një autokolonë mjetesh të blinduara në Afganistanin jugor, operacioni i parë luftarak i marinsave që nga mbrëmja e ditës së djeshme kur ata ngritën një bazë në afërsi të Kandaharit.

Një zëdhënës i marinës tha se helikopterët asgjësuan disa nga të 15 mjetet e blindura ku përfshiheshin edhe tanke. Ai tha se autokolona po lëvizte pranë një aerodromi të zbrazët që përdoret si bazë e marinsave.

Zëdhënësi nuk tha se nëse automjetet i përkisnin Talebanit apo rrjetit terrorist Al-Qaida të Osama bin Ladenit.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld u tha gazetarëve dje në Pentagon se marinsat ndodhen në rajon për t’u bërë presion talebanëve dhe për të mos lejuar lëvizjen e lirë të udhëheqësve të al-Qaidës në Afganistan. Ai tha se marinsat po ngrejnë baza në pozicione të përparuara afër Kandaharit, por nuk janë një forcë pushtuese.

Zoti Rumsfeld tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë i zgjodhën zonat pranë Kandaharit për ngritjen e bazave sepse ato ndodhen në afërsi të rrugëve kryesore. Ai tha se pozicionet strategjike të tyre do t’ua bëjnë më të lehtë misionin marinsave por nuk dha hollësi të tjera.