Kalendari Historik 16 dhjetor - 2001-12-16

Më 16 dhjetor 1773 rreth 50 kolonizatorë amerikanë të maskuar si indianë derdhën 41 mijë kilogram çaj të anglezëve në portin e Bostonit. Doku i portit ishte mbushur plot me kolonizatorë, shumica e të cilëve brohorisnin për patriotët. Djemtë e Lirisë, një grup patriotik anti anglez, i cili kreu aktin e mësipërm, e quajti atë “mbrëmja e çajit në Boston”. Ata po protestonin kundër një takse që parlamenti anglez vuri mbi çajin, i cili ishte pija e preferuar e kolonizatorëve. Djemtë e Lirisë, e përbërë e tëra nga qytetarë anglezë, ishin sidomos të zemëruar sepse po tatoheshin pa patur mundësi të kishin përfaqësuesit e tyre në parlament në Londër. Parrulla e tyre “Jo tatim pa përfaqësim” u bë një nga parrullat kryesore që çoi në Luftën Revolucionare kundër Anglisë.

Më 16 dhjetor 1811 fshati i Madridit të Ri, në Missouri, u lëkund nga një prej tërmeteve më të fuqishme që kishin njohur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara. Kërkime nga sizmologë të shekullit të 20 zbuluan se tërmeti i Madridit të Ri ishte 8 ballë sipas shkallës Rihter. Fshati pothuajse u shkatërrua nga tërmeti, i cili gjithashtu shkaktoi një devijim të përkohshëm të rrjedhjes së lumit Misisipi. Tronditjet u ndjenë që nga pjesa lindore e Kanadasë në veri deri në gjirin e Meksikës në jug. Për çudi vetëm dy veta humbën jetën, dhe kjo ndoshta për arsyen se dëmet më të mëdha ndodhën në zona shumë pak të populluara.