Personi që Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar si bashkëpunëtor në sulmet terroriste të 11 shtatorit, ka kërkuar që gjyqi i tij në muajin tetor të mbulohet nga rrjetet televizive.
Avokatët mbrojtës të Zakaria Musauit dorëzuan dje një kërkesë në gjykatën federale, ku shkruhet se mbulimi nga ana e mjeteve televizive të gjyqit të tij do të ndihmojë në sigurimin e një procesi të ndershëm.
Megjithatë, avokatët e zotit Musaui thonë se nuk duan që të mbulohen nga televizioni seancat paraprake të gjyqit apo koha gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të jurisë. Ata thonë se një mbulim i tillë nga ana e televizionit do të paragjykonte anëtarët e mundshëm të jurisë.
Një kanal televiziv amerikan i ka kërkuar gjykatësit të çështjes lejen për të transmetuar procedurat.
Kamerat televizive janë të ndaluara nga sallat e gjyqeve federale, megjithatë mbulimi nga ana e televizionit i gjyqeve nëpër shtete e komuna është i zakonshëm.
Zoti Musaui, maroken me nënshtetësi franceze, ndodhet përballë 6 padive federale, që nga bashkëpunimi në krim e deri tek vrasja me dashje e gjymtimi dhe mund të dënohet me vdekje.
Prokurorët e akuzojnë atë për përfshirje në rrëmbimet e 4 avionëve tregëtarë më 11 shtator të cilët u përplasën në Qendrën Botërore të Tregëtisë, në Pentagon dhe në një lëndinë në Pensilvaninë Perëndimore. Më shumë se 3 mijë persona humbën jetën si pasojë e këtyre sulmeve terroriste.