30 të burgosur të tjerë drejt Guantanamos - 2002-01-13

Edhe 30 të burgosur të tjerë talebanë e anëtarë të al-Qaida-s u larguan nga Afganistani për në një burg të sigurisë së lartë në bazën detare amerikane në Kubë.

Të burgosurit, me sy të lidhur dhe pranga në duar e këmbë, u ngarkuan mbrëmë vonë në një aeroplan ushtarak amerikan në aeroportin e Kandaharit. Ata do të bashkohen me 20 të burgosur të tjerë që u transferuan javën e kaluar në bazën detare Guatanamo, në bregdetin juglindor të Kubës.

Në Afganistanin lindor, avionët amerikanë bombarduan përsëri objekte të dyshuara të al-Kaidës, ndërkohë që kërkimi për Osama bin Ladenin dhe udhëheqësin e përmbysur taleban, Mullah Muhamed Omar, vazhdon.

Njoftohet se sulmet e djeshme ajrore goditën një kompleks shpellash, 30 kilometra në jugperëndim të Khostit, ku mendohet se po riorganizohen luftëtarë të al-Kaidës. Senatori amerikan, Joseph Bined, i cili ndodhet për vizitë në Kabul, i tha rrjetit televiziv NBC se lufta kundër talebanëve ende nuk ka marrë fund. Ai tha se talebanët ende kontrollojnë disa zona fshatare të Afganistanit.

Ministria e Mbrojtjes e qeverisë së përkohëshme afgane njoftoi se do të mbajë një mijë e 500 ushtarë të armatosur në kryeqytet për të shërbyer si forcë e përkohëshme policore. Ministria thekson se ushtarët do të kryejnë detyrat e përditshme të policisë derisa një forcë e re policore të strërvitet në mënyrë të përshtatshme.

Zyrtarë të qeverisë së përkohshme po debatojnë edhe rreth kostos së parashikuar për rindërtimin e vendit. Sipas, agjencive perëndimore të lajmeve, zyrtarë të ministrisë së planifikimit kanë thënë se Afganistani do të ketë nevojë për rreth 45 miliardë dollarë gjatë 10 vjetve të ardhshëm.