Intervistë me Fatos Nanon - 2002-01-16

Nga Armand Mero

Biseda kokë më kokë dhe marrëveshjet e para konkrete të arritura mes dy protagonistëve të konfliktit në PS mund t’i ngjanë me tepër një anestezie parciale të krizës brenda së majtës në pushtet. Përvec faktit të pranuar nga kryeministri Meta dhe të mbështetur edhe nga kryetari Nano për një rikompozim të qeverisë, rezultati më i prekshëm ngjan të jetë se është kuptuar fakti se vazhdimi i luftës mes tyre nuk do të sillte asnjë përfitim. Kushdo që në fund do të konsiderohej fitues, mund të korrte jo me shumë se sa një fitore si e Pirros.

Takimi i mbrëmshëm është vetëm një hap i parë që duhet të kapërcejë pengesa të tjera për të vazhduar më tej. Ekuilibret në PS janë ende të brishta. E ardhmja e marrëdhënieve mes kryeministrit Meta dhe kryetarit socialist Nano ka shumë pikëpyetje përpara. Dhe kryesorja ndër to ka të bëjë me lëvizjen politike që zoti Nano ka ndërmarrë, për organizimin e një referendumi. Kryetari socialist do ta cojë deri në fund këtë nismë pavarësisht se deri dje kishte kundër strukturat drejtuese të partisë. Për këtë arsye ai pritet që pas takimit të mbrëmshëm ta rishtrojë edhe një herë në kryesi këtë cështje, pasi sot është marrë vendimi për fillimin e grumbullimit të firmave të një të tretës së anëtarësisë. Kryeministri Meta mbrëmë deklaroi se nuk duhet vazhduar në rrugën e kapriciove apo kokëfortësisë së njërës apo tjetrës palë, duke kërkuar ndoshta kështu, indirekt që edhe zoti Nano të lëshojë pe. Në këtë aspekt cështja e referendumit, e cila për një pjesë të mirë dhe të opinionit po përkthehet si një mjet i kryetarit për t’i hapur atij rrugën drejt Presidencës, mbetet sfida kryesore për socialistët, pa përmendur këtu edhe problemet që mund të rilindin në procesin e krijimit të qeverisë së re.