Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, tha se do t’i përshpejtojë operacionet në Bregun Perëndimor.
Kryeministri Sharon e bëri këtë deklaratë dje vonë, pas një bisede telefonike me presidentin Bush, i cili i bëri thirrje Izraelit që t’i tërheq forcat pa vonesë. Një zyrtar amerikan tha se presidenti Bush i tha zotit Sharon se është nevoja që Izraeli t’i ulë tensionet në mënyrë që të krijohen mundësitë për fillimin e përpjekjeve diplomatike.
Kryeministri Sharont nuk caktoi ndonjë afat për operacionet, gjatë të cilave forcat izraelite kanë pushtuar 6 qytete të mëdha palestineze. Zoti Sharon tha se e kupton që Shtetet e Bashkuara kërkojnë përfundimin e shpejtë të ofensivës, por shtoi se misioni i Izraelit për të çrrënjosur terrorin është i ndërlikuar.
Dje, gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin britanik, Tony Blair në Teksas, presidenti Bush bëri përsëri thirrjen për tërheqjen izraelite. Një zyrtar amerikan theksoi se presidenti pret vepra e jo vetëm fjalë.
Zyrtarë palestinezë kritikuan presidentin Bush se nuk i caktoi Izraelit një afat për t’u tërhequr. Ata thonë se caktimi i një afati mund të shpëtojë jetën e shumë palestinezëve.
Në Evropë, protestat në mbështetje të palestinezëve vazhduan në qytete kryesore, ndërkohë që Bashkimi Evropian lëshoi një deklaratë, në të cilën thuhet se udhëheqësi i rrethuar palestinez, Jaser Arafat, vazhdon të jetë i vetmi përfaqësues i ligjshëm i palestinezëve