Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese iu përgjigj sot sulmeve dhe akuzave të bëra ndaj saj pas vendimit që mori javën e shkuar për interpretimin e rasteve të shkarkimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Një interpretim i cili duket se hap rrugën që largimi i ish kryeprokurorit Arben Rakipi të konsiderohet i padrejtë. Sipas anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kjo fushatë kundër tyre ka për qëllim të imponojë marrjen e vendimeve në kundërshtim me kompetencat kushtetuese dhe sipas interesave politike. Sipas gjykatës, kjo luftë ka për synim minimin e paanësisë dhe paralizimin e punës së saj.
Në deklaratën e gjyqtarëve kujtohet fakti se edhe më parë kjo gjykatë ka shfuqizuar një numër jo të vogël ligjesh të parlamentit dhe dekrete të presidentit si të papajtueshme me Kushtetutën.
Ditët e fundit, gjykata Kushtetuese është vënë në shënjestër të sulmeve të shumta.
Opozita ka deklaruar se do të kërkojë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të saj. Ndërsa dje, presidenti i Republikës propozoi rishikimin e kompetencave të kësaj gjykate.
Presidenti Meidani la të kuptohej hapur se një vendim i pritshëm në favor të ish kryeprokurorit nuk do të merrej në konsideratë.
Sipas tij, për emërimin dhe lirimin nga detyra të një propkurori të përgjithshëm, ai është i detyruar të pranojë vetëm ato gjykime dhe vendime që merr parlamenti dhe asnjë institucion tjetër.