Projektligji i pasaportave do të rishqyrtohet - 2002-06-21

Projektligji për pashaportat i miratuar më parë nga qeveria e Maqedonisë, u kthye sot përsëri në qeveri për rishqyrtim, pas kundërshtimeve të ashpra të dy partive më të mëdha maqedonase dhe të presidentit Trajkovski.

Burime zyrtare njoftuan se sot qeveria tërhoqi projektligjin e paraqitur më parë për pashaportat, duke thënë se kjo u bë për shkak të nevojës për bashkërendim shtesë midis nënshkruesve të marrëveshjes së paqes.

Sipas projektligjit të miratuar më parë nga qeveria, pashaportat e reja do të duhet të ishin edhe në gjuhën shqipe në ballinë dhe në brendi të tyre. Në politikën maqedonase dhe në media thuhej se sipas këtij projektligji të parë, Maqedonia do të kishte dy lloj pashaportash dhe se kjo do të çonte në federalizimin e vendit. Pala shqiptare thekson se nuk bëhet fjalë për dy pashaporta të Maqedonisë, por për një pashaportë unike, në të cilën do të përdoret edhe gjuha shqipe krahas maqedonishtes, bazuar kjo në ndryshimet kushtetuese, të cilat janë miratuar tashmë bashkë me paketën ligjore që del prej tyre.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shkup po përpiqen që të nxisin përshpejtimin e miratimit të këtyre ligjeve të mbetura ndërkohë që Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar udhëheqësve politikë të vendit, që të sigurojnë kalimin me shpejtësi të tyre, për të krijuar terrenin e përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në shtator.