Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, u jep fund vizitave në Indi dhe Pakistan - 2002-07-26

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se Washingtoni nuk mund të mbështesë pretendimin e Pakistanit se ka ndaluar infiltrimin e ekstremistëve islamikë në Kashmirin indian.

Sekretari Powell u tha gazetarëve sot në Islamabad se si Pakistani edhe India e pranojnë se infiltrimet në të dyja anët e kufirit janë pakësuar. Ai shtoi se me rëndësi është që të lihet mënjanë numërimi i inkursioneve dhe të vazhdohet me bisedime dy-palëshe, që do të çonin drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon.

Po sot, presidenti i Pakistanit Pervez Musharaf u tha gazetarëve se pretendimi i Indisë lidhur me këtë çështje është absolutisht i pabazë, siç u shpreh ai. Një zëdhënëse e ministrisë së jashtme indiane u përgjigj, duke thënë se gjenerali Musharaf nuk po tregohej plotësisht i sinqertë.

Sekretari amerikan i shtetit Powell u takua sot me zyrtarë të lartë pakistaneze pas bisedimeve që zhvilloi në New Delhi me kryeministrin indian Atal Behari Vaxhpai. Udhëtimi i zotit Powell në Azinë jugore është pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet 55 vjeçare mes Indisë dhe pakistanit lidhur me rajonin e Kashmirit.

India e akuzon Pakistanin se armatos, stërvit dhe ndihmon grupet ekstremiste që të hyjnë në Kashmirin indian dhe të kryejnë sulme. Islamabadi e mohon këtë akuzë, po e pranon se u jep separatistëve mbështetje politike. Të dyja palpt kanë dislokuar më shumë se 1 milion trupa përgjatë vijës së kontrollit në Kashmir, që prej një sulmi të ekstremistëve të dyshuar myslimanë kundër parlamentit të Indisë në dhjetor të vitit të kaluar.