Nën-sekretari Armtixh për mosmarrëveshjen mbi Kashmirin - 2002-08-24

Nën-sekretari amerikan i shtetit, Riçërd Armtixh, thotë se zgjidhja e mosmarrëveshjes mbi Kashmirin varet nga udhëheqësit e Indisë dhe Pakistanit.

Nën-sekretari Armitixh u tha sot gazetarëve në Islamabad se Shtetet e Bashkura nuk mund të imponojnë një zgjidhje, por se do të përqendrohen në uljen e të dy palëve në tryezën e bisedimeve për të diskutuar mbi konfliktin. Ai tha gjithashtu se tensionet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit janë zbutur disi që nga vizita e tij e fundit para dy muajsh. Zoti Armitixh i bëri këto komente pas takimeve me presidentin Pervez Musharraf dhe zyrtarë të tjerë të lartë pakistanezë.

Diplomati i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se Pakistani po bën maksimumin e vet për të ndaluar hyrjen e ekstremistëve myslimanë në Kashmirin Indian. Megjithatë, zoti Armitxh tha se duket qartë që ka kalime të Vijës së Kontrollit nga ekstremistët, por se Islamabadi mohon çdo ndërlikim në to.

India thotë se nuk do të zhvillohen bisedime mbi Kashmirin në qoftë se nuk ndalen shkeljet e vijës së kontrollit. New Delhi akuzon Pakistanin për armatosjen dhe financimin e grupeve ekstremiste në Kashmir, por Islamabadi thotë se separatistëve u jep vetëm përkrahje politike.

Zoti Armtixh lavdëroi gjithashtu Pakistanin për atë që ai e quajti ”bashkëpunim i shkëlqyer” në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit dhe shprehu besim në përpjekjet e gjeneralit Musharaf për bllokimin e kufirit me Afganistanin në mënyrë që anëtarët e mbetur të al-Kaidës të mos u ikin forcave amerikane.

Po sot, policia në Kashmirin Indian njoftoi se ekstremistë islamikë qëlluan dhe vranë të paktën 12 fshatarë myslimanë. Askush se ka marrë ende përgjegjësinë për sulmet.