Kalendari Historik 1 shtator - 2002-09-02

Më 1 shtator 1916 Kongresi amerikan miratoi ligjin e parë federal për mbrojtjen e fëmijëve në vendin e punës. Ligji ishte rezultat i fushatës njëshekullore të reformatorëve për të mos lejuar teprime në punën e fëmijëve. Deri në atë kohë fëmijë nën moshën 16 vjeçare, punonin në industrinë tekstile, në miniera dhe fabrika me orë të zgjatura dhe me paga të ulta. Më 1918 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ndryshoi ligjin për mbrojtjen e fëmijëve në marrëdhënie pune, duke thënë që Kongresi i kishte kapërcyer kompetencat e tij kushtetuese. Kongresi u përpoq edhe dy herë të tjera para viteve 1930 për të mos lejuar shfrytëzimin e punës së fëmijëve, por pa sukses. Më 1938 Kongresi miratoi Ligjin mbi Standardet e Drejta në Punë. Ky ligj përcaktonte për gjithë vendin nivelin e pagës më të ulët dhe numrin më të madh të orëve për një ditë pune, duke zgjidhur kështu problemet kushtetuese që kishin penguar zbatimin me forcë të ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve në marrëdhënie pune.

Më 1 shtator 1806, eksploratori Zebulon Pike shkruante në ditarin e tij për një mal që kishte parë, por ku nuk kishte mundur të ngjitej. Ai shkruante se “asnjë qënie njerëzore nuk do të mund të ngjitej ndonjëherë në majën e tij.” Sipas tij, mali piktoresk në veri të vendit ku më vonë do të ngrihej qyteti Kolorado Springs, ishte 5 mijë metra i lartë. Vite më vonë shteti i Kolorados e quajti malin, Pike’s Peak, për nder të eksploratorit, Zebulon Pike. Sa për parashikimin e tij se askush nuk do të mund të ngjitej në majën e malit aty nga mesi i viteve 1890 u ndërtua një hekurudhë me binarë të ngushtë, që i çonte turistët në majë të malit. Më së fundi u ndërtua edhe një rrugë me asfalt që arrinte deri në majë të malit 4 mijë e 200 metra të lartë. Veç kësaj zhvillohet edhe një garë me makina, e quajtur Ngjitja e Majës së Pajkut, gjatë së cilës, automobilistët i ngjiten me shpejtësi majës së malit.