Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po sulmojnë mjetet financiare të terroristëve - 2002-09-28

Që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të identifikojnë, të ndërpresin dhe të shkatërrojnë veprimtaritë financiare të grupeve terroriste si Al-Kaida.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po sulmojnë metodat e terroristëve për transferimin e fondeve përtej kufijve dhe midis celulave terroriste, qoftë nëpërmjet bankave, bizneseve, dhurimeve të fshehta ose nëpërmjet mënyrave të tjera. Mbi 300 hetime rreth veprimtarive financiare të terroristëve kanë filluar vetëm në Shtetet e Bashkuara. Madje dhjetra vende të tjera kanë marrë masa për bllokimin e pasurive të terroristëve, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të udhëtojnë lirisht ose të financojnë operacionet e tyre. Siç tha edhe sekretari amerikan i thesarit, Paul O’Neill: Në se dikush angazhohet në financimin e terroristëve, për të ekzistojnë dy alternativa: bashkëpunimi në këtë luftë ose bllokimi i pasurive në Shtetet e Bashkuara dhe dënimi për sigurimin e burimeve, që bëjnë të mundura këto akte keqbërëse.

Gjatë vitit të fundit, mbi 100 milion dollarë në pasuri që u takonin personave të dyshuar si terroristë janë bllokuar në gjithë botën në më shumë se 500 llogari. Shtetet e Bashkuara kanë ekspozuar dhe shkatërruar gjithashtu burime financiare terroriste. Një shëmbull i tillë është rrjeti financiar al Barrakaat.

Konglomerati al Barrakaat me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe funksiononte në 40 vende me ndërmarrje afariste në telekomunikacione, ndërtime dhe shkëmbime monetare. Por në realitet ky konglomerat ishte burim financimi prej miliona dollarësh për rrjetin terrorist Al-Kaida të Osama Bin Ladenit.

Nëntorin e kaluar, agjentët e departamentit amerikan të thesarit mbyllën 8 zyra të al Barrakaat në Shtetet e Bashkuara. Edhe aleatët e Amerikës nëpër botë, duke përfshirë edhe vetë vendin e rrjetit al Barrakaat, Emiratet e Bashkuara Arabe, punuan për të penguar funksionimin e këtij rrjeti në sistemin financiar botëror.

Al-Kaida dhe organizata të tjera terroriste po vuajnë financiarisht si rezultat i luftës kundër terrorizmit. Dhurues të mundshëm tregohen më të kujdeshëm kur u japin para organizatave, që ata kanë frikë se mund të financojnë terroristët.

Gjithashtu, kontrollet më të mëdha të sistemeve financiare nëpër botë po e bëjnë më të vështirë për ata individë dhe grupe që do të dëshironin të mbështesnin grupet dhe veprimtaritë terroriste. Siç ka thënë presidenti George W. Bush: ”Ne do të përdorim çdo burim të disponueshëm për të fituar luftën kundër terroristëve: çdo formë diplomatike, çdo mjet zbulimi, çdo instrumet të ruajtjes së rendit, çdo ndikim financiar. Ne do tu shterrim terroristëve fondet, do ti vëmë ata kundër njeri tjetrit, do ti nxjerrim nga vendet ku fshihen dhe do ti sjellim para drejtësisë.//ze