SHBA kërkon heqjen e sanksioneve kundër Irakut - 2003-05-08

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Spanja pritet të paraqesin sot një rezolutë në Kombet e Bashkuara, që do t’i jepte fund sanksioneve të vëna ndaj Irakut më shumë se një dekadë më parë.

Rezoluta parashikon heqjen e menjëhershme të sanksioneve ekonomike të OKB-së të vëna ndaj Irakut pas pushtimit të Kuvajtit nga ky i fundit në vitin 1990. Rezoluta parashikon gjithashtu edhe heqjen gjatë një periudhe 4-mujore të programit të Kombeve të Bashkuara, naftë-për-ushqim, që ka pasur si qëllim lehtësimin e barrës së sanksioneve mbi popullin irakian. Iraku do të lejohet të shesë përsëri naftë pa kontrollin e OKB-së.

Rezoluta kërkon gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, që të emërojë një bashkërendues të posaçëm, për të ndjekur shpërndarjen e ndihmave humanitare të OKB-së dhe veprimtarinë për ndërtimin e Irakut.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Negroponte, tha se pret që rezoluta të miratohet brenda disa javësh. Megjithatë nuk është ende e qartë, në se vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kundërshtuan luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, do ta mbështesin rezolutën.

Franca, Rusia dhe Kina kanë thënë se nuk do të miratojnë asnjë rezolutë për heqjen e sanksioneve para se inspektorët e Kombeve të Bashkura të kthehen në Irak për të vërtetuar se ky vend nuk ka më armë të shkatërrimit në masë. Zoti Negroponte tha se rezoluta nuk parashikon ndonjë rol për inspektorët e OKB-së.//ic//