Shtetet e Bashkuara përkrahin kubanët që kërkojnë lirinë nga regjimi shtypës komunist i Fidel Kastros - 2003-06-01

Para rreth 40 vjetësh, diktatori komunist kuban, Fidel Kastro, i grabiti Kubës pavarësinë. Që atëherë, ai ka krijuar një trashëgimi shtypjeje politike dhe shkatërrimi ekonomik.

Presidenti Bush është takuar kohët e fundit me një grup veprimtarësh kubanë për demokraci që aktualisht jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Ata përshkruan me hollësi vuajtjet e tyre. Ana Lazaro Rodriguez ka kaluar 19 vjet në burgjet kubane dhe ka shkruar një libër mbi trajtimin e grave të burgosura për bindjet e tyre politike në Kubë. Ajo thotë se ky model brutaliteti ka ekzistuar në Kubë për dekada me radhë. ”Kam ardhur t’i tregoj Presidentit Bush se nuk është e rëndësishme që unë kam kaluar shumë vjet në burgjet politike, se jemi rrahur dhe mbajtur në izolim me nga një vit e nganjëherë me dy. Por e rëndësishme është se kjo vazhdon të ndodhë në Kubë dhe se bota duhet ta ndalë një gjë të tillë”, thotë disidentja kubane.

Politika e Shteteve të Bashkuara përkrah kubanët që luftojnë për një tranzicion të shpejtë e paqësor në Kubë. Në këtë këndvështrim përfshihet edhe puna për të çarë bllokadën e informacionit që qeveria e Havanës ia ka imponuar popullit kuban.

Në përpjekje për t’u ofruar kubanëve lajme e informacion të saktë e të ekuilibruar, Shtetet e Bashkuara kanë krijuar Radio-Marti-në më 1985 dhe më 1990-ën Televizionin Marti. Zhurmuesat e regjimit të Kastros e kanë bërë të vështirë për shumicën e kubanëve ndjekjen e programeve të Televizionit Marti, por me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kubës u bënë përpjekje të posaçme për kapërcimin e efektit të zhurmuesave. 4 orë të programeve të Televizionit Marti u transmetuan nga një avion amerikan që fluturonte në hapësirën e ajrore të Shteteve të Bashkuara. Në të ardhmen e afërt, programet e Televizionit Marti do të transmetohen me satelit. Edhe sinjali i Radio Martisë do të përforcohet.

Diktaturat nuk kanë vend në kontinetet amerikane, tha Presidenti Bush me rastin e ditës së Pavarësisë. ”Zoti i bekoftë kubanët që po luftojnë për liri!” uroi Presidenti. //az//