Wesley Clark mund të hyjë në garën presidenciale - 2003-06-16

Kandidati i fundit që mund t’i shtohet garës presidenciale të vitit të ardhshëm këtu në Shtetet e Bashkuara do të jetë ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali në pension Wesley Clark.

Gjenerali Clark i tha të dielën televizionit NBC se ai po e studion seriozisht kandidaturën si demokrat për në Shtëpinë e Bardhë dhe gjatë disa muajve të ardhshëm do të vendosë nëse do të konkurrojë apo jo në zgjedhjet paraprake brenda partisë.

“Nga shumë pikëpamje, unë do të dëshiroja të më jepej shansi për ta ndihmuar vendin, pavarësisht nëse kjo do të thotë të konkurroj për president apo për diçka tjetër. Por unë e kam kaluar gjithë jetën në shërbimin publik me përjashtim të tre vjetëve të fundit, pra e kam të vështirë të mos mendoj për të mirën e vendit. Sa herë që njeriu shikon vendin e tij në vështirësi dhe përballë sfidash, ai nuk mund të mos përpiqet të ndihmojë”. Gjenerali Clark ka kaluar 33 vjet në ushtrinë amerikane dhe u ngrit në rangun e gjeneralit me katër yje. Posti i tij i fundit ishte komandant suprem i Natos, në krye të së cilës ai drejtoi operacionin e aleatëve në Kosovë, në vitin 1999. Gjatë këtij operacioni, Gjenerali Clark pati përplasje me zyrtarët e administratës së Presidentit Clinton dhe nuk ka kaluar prova si kandidat për një post politik.

Por dy grupe demokratësh po përpiqen tani ta bindin atë të hyjë në garën e zgjedhjeve paraprake, pra brenda partisë Demokrate. Njëri nga këto grupe ka filluar reklamat në radio, ku i bën thirrje gjeneralit Clark që të marrë pjesë në garën e parë brenda partisë, që tradicionalisht zhvillohet në shtetin New Hampshire.

Gjenerali Clark mban qëndrim kritik ndaj politikës së jashtme të Presidentit Bush. Ai thotë se administrata duhet t’u bëjë më shumë presion vendeve të mundshme kundërshtare, si Koreja e Veriut dhe Irani. Nga ana tjetër, thotë ai, presidenti është treguar më i zellshëm se duhet në përdorimin e forcës ushtarake.

“Mendoj se çështja e veprimit ushtarak në të gjithë këto raste është se ky duhet të jetë mjeti i fundit, sepse kur ndërmerr një veprim ushtarak, pasojat janë të shumta dhe nuk mund të parashikohen. Dhe, nëse qëllimi është gjetja e armëve, atëhere le të kërkojmë armët në mënyrën më të drejtpërdrejtë, me anë të inspektimeve dhe presionit. Karta ushtarake është gjithnjë rezervë dhe lihet për në fund, por jo të përdoret e para, thotë gjenerali Clark”. Edhe disa demokratë të tjerë që mendojnë të venë kandidaturën për president kanë shprehur shqetësime të ngjashme lidhur me politikën e jashtme të Presidentit Bush.

Zyrtarët e administratës përgjigjen se që nga 11 shtatori 2001 bota ka ndryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të ngurrojnë të përdorin forcën ushtarake për tu dalë përpara kërcënimeve të mundëshme.

Deri tani, janë gjithsej 9 demokratë që kanë vënë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Përveç gjeneralit Clark, edhe demokrati kryesor në komisionin e jashtëm të senatit, Joe Biden i shtetit Delaware, tha kohët e fundit se mund të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë. //kk//