Papa Gjon Pali i Dytë i bëri thirrje Bashkimit Evropian të mos e përjashtojë aspektin fetar nga projekt-kushtetuta.
Përmes një dokumenti prej 140 faqesh të Vatikanit me titull ”Kisha në Evropë”, kreu i Kishës Katolike u kërkon udhëheqësve të Bashkimit Evropian të theksojnë në kushtetutën e re rolin e trashëgimisë së krishterë në kontinentin evropian.
Papa thotë se ai respekton plotësisht natyrën laike të institucioneve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai bën thirrje që kushtetuta e re të njohë të drejtën e kishave e komuniteteve fetare për t’u organizuar, për të shprehur respekt për fetë e ndryshme dhe për të shtrirë në mbarë Bashkimin Evropian statusin ligjor që gëzojnë isntitucionet fetare në vendet-anëtare.
Vatikani e ka kritikuar projekt-kushtetutën e tanishme se nuk i referohet në askund Zotit apo fesë.
Përkrahësit e projekt-kushtetutës thonë se nuk është me vend t’i referohesh Zotit në një dokument laik dhe se një referencë e posaçme për Krishterimin do të fyente miliona myslimanë të Evropës e qytetarë të besimeve të tjera.
Udhëheqësit evropianë e përkrahën këtë muaj projekt-kushtetutën aktuale në një takim të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Greqi. Një variant përfundimtar i këtij dokumenti historik do të përpunohet në muajin tetor në Romë, kur Italia do të ketë presidencën e radhës. //az//