Vietnami shtyp disidentët - 2003-09-07

Pham Hong Son është një gazetar vietnamez që u dënua në qershor për “spiunazh”, siç e cilësoi qeveria vietnameze, si edhe për akuza të tjera jo të qarta dhe arbitrare. Mes të ashtuquajturave “krime” të tij ishte përkthimi dhe ribotimi i një artikulli të internetit të titulluar “Çfarë është demokracia?”.

Gjykata e lartë e Vietnamit e pakësoi dënimin me 13 vjet të Pham Hong Sonit, por gjithsesi atij i duhet të kalojë pesë vjet në burg dhe tre të tjera në arrest shtëpiak.

Sophie Beach e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se vendimi i gjykatës nuk është aspak i përshtatshëm.

“Pham Hong Son nuk duhej të ishte burgosur kurrë dhe duhet të lirohet menjëherë, pa asnjë kusht. Arrestimi i Pham Hong Sonit i dërgon një mesazh të qartë gjithkujt që përdor internetin në Vietnam, se shprehja e lirë e pikëpamjeve të tyre në internet nuk do të tolerohet nga qeveria”.

Pham Hong Son nuk është i vetmi disident i burgosur në Vietnam për shprehjen e ideve të tij në internet. Doktor Nguyen Dan Que u arrestua në mars, katër ditë pasi u akuzua se i kishte dërguar dokumenta ku bëhej thirrje për të drejtat e njeriut dhe reforma politike një të afërmi në Shtetet e Bashkuara nga një internet kafe.

Në shkurt 2002, Le Chi Quang një avokat i ri vietnamez, botoi një artikull në internet ku kritikonte qeverinë kineze. Për një gjë të tillë ai u dënua me katër vjet burg dhe tre vjet arrest shtëpiak..

Zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin uljen e dënimit për Pham Hong Sonin, por shtoi se ai në fakt nuk duhet të ishte burgosur fare: “Ne vazhdojmë t’i kërkojmë qeverisë vietnameze që të respektojë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ato standarde, Vietnami i pranoi me vullnet të lirë përmes ratifikimit të dokumentave ndërkombëtare, mes së cilave edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike”.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Reeker i kërkojnë “qeverisë vietnameze që të lirojë menjëherë Pham Hong Sonin, ashtu si edhe të gjithë qytetarët që janë burgosur padrejtësisht për shkak të shprehjes hapur të mendimit”.