G. Ruçi: I pazgjidhur roli i policisë dhe balancimi i KQZ-së në prag të zgjedhjeve - 2003-10-01

Ndonëse kanë mbetur vetëm 10 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve në Shqipëri, dy probleme kryesore ende nuk janë zgjidhur: roli i policisë dhe balanca e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Por cili është mendimi i partisë në pushtet për zgjidhjen e tyre? Në programin televiziv Ditari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë kryetarit të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi, pas përgjigjes së sotme të demokratëve për policinë, cili është hapi tjetër, çfarë zgjidhje do të marrë ky problem?

Gramoz Ruçi: Para se të përcaktoj qëndrimin që ne do të mbajmë desha të ritheksoja se pse u detyrua qeveria për të nxjerrë një akt normativ në këtë moment. Ajo ka miratuar këtë akt normativ për të rregulluar disa mangësi që janë vërejtur prej kohësh në ligjin për policinë e shtetit mbështetur në zbatimin e kodit elektoral. Këto mangësi nuk janë vërejtur tani që ne jemi në mes të fushatës së zgjedhjeve, por janë vërejtur që në momentin që ne i bëmë amendimin përkatës ligjit 8089 për policinë e shtetit, mangësi këto që përfaqësuesit e policisë ia bënë prezent Presidentit të Republikës, të cilit i është kërkuar kthimi për rishqyrtim dhe plotësim në parlament të këtij amendamenti. Nga autoritetet e policisë iu bënë prezent Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut në parlament për të ndërmarrë ata një iniciativë ligjvënëse të regullimit në ligj. Nga ana e tyre rezervat për këtë amendament iu bënë përfaqësuesve të subjekteve politike për të siguruar një mirëkuptim dhe një konsensus të tyre. Nga ana e tyre iu bë prezent edhe përfaqësuesve të OSBE-së si dhe institucioneve të tjera monitoruese të procesit të hartimit të këtij akti ligjor. Tashmë që qeveria ka bërë fakt nxjerrjen e këtij akti, pikërisht për të rregulluar dhe mundësuar përballimin e detyrimeve ligjore dhe kushtetuese që ka policia në zbatim të kodit elektoral dhe të ligjit për policinë e shtetit, në këtë moment vjen pretendimi i opozitës për të mos e miratuar atë. Ligji i miratuar në parlament parashikon një shërbim policor për zgjedhjet, vetëm për policinë e rendit dhe të objekteve të cilat në total kanë 4 mijë e 17 punonjës, ndërkohë që në Shqipëri ka gjithsej 4700 qëndra votimi dhe duke llogaritur kështu shërbimin 24 orësh kërkohet për to rreth rreth 9 mijë e 400 punonjës policie duke qëndruar secili prej tyre rreth 12 orë në shërbim. Vetëm me policinë e objekteve dhe me policinë e rendit ky shërbim nuk mund të mbulohet. Në këto rrethana, akti normativ vendos detyrimin për përfshirjen në këtë shërbim edhe të punonjësve nga policia kufitare dhe policia e qarkullimit rrugor, si një kusht i domosdoshëm për të plotësuar kontigjentin e nevojshëm për mbulimin e plotë me shërbim policor të të gjitha qëndrave të votimit konform kodit zgjedhor në fuqi.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti Ruçi meqënëse ju hytë në historikun e kësaj ngjarjeje më lejoni tu pyes, kur ky problem dihej prej kohësh a nuk ishte e mundur që ai të zgjidhej me bisedime paraprake pa kaluar në miratim të aktit normativ të qeverisë.

Gramoz Ruçi: Siç u thashë më lartë të gjitha përpjekjet janë bërë nga institucioni i Ministrisë së Rendit, si te institucioni i Presidentit edhe tek institucioni i Komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHISH-in, si tek faktorët politik shqiptarë, ashtu dhe tek faktorët ndërkombëtarë. Por duke qënë që nuk është shprehur vullneti i duhur për ta bërë këtë, atëherë u detyrua për të përgatitur këtë akt normativ, duke përmbushur kështu përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, ne si pozitë, duke parë që opozita kundërshtoi dhe u largua nga seanca e parlamentit, shprehëm qëllimin e mirë që opozita të hartojë vetë një projektligj i cili të zbatojë kërkesat e ligjit për policinë e shtetit dhe kërkesat e kodit elektoral.

Zëri i Amerikës: Po zoti Ruçi, përgjigja e opozitës tashmë dihet, por le të kthehemi tek pyetja origjinale, cili është qëndrimi i socialistëve sot, pas përgjigjes së opozitës.

Gramoz Ruçi: Ne mendojmë që asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar dhe përsëri nuk mund të them që ne do të mbajmë një qëndrim të njëanshëm. Deri tani është konsumuar institucioni i kryetarit të parlamentit i cili ka thirrur kryetarin e grupit parlamentar të PD dhe kryetarin e grupit të PS, unë mendoj që edhe faktorë të tjerë institucional, siç është institucioni i Presidentit, apo ambasadori i OSBE-së duhet ta konsumojnë ndërmjetësinë e tyre për të vazhduar konsensusin dhe për këtë çështje që nuk është politike, por që është kthyer në politike dhe që është thjesht dhe vetëm problem teknik i domosdoshëm për të zbatuar kodin elektoral dhe ligjin për policinë e shtetit.

Zëri i Amerikës: Një problem tjetër ende për të cilin opozita ka shprehur ankesa është ai i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Edhe presidenti Moisiu theksoi nevojën e balancimit të këtij komisioni. A pritet ndonjë ndryshim në të?

Gramoz Ruçi: Ne vlerësojmë se procesi i ekuilibrit politik të KQZ-së është duke u realizuar në përputhje me kushtetutën dhe me rregullimet e bëra nga kodi i ri zgjedhor. Së dyti, më lejoni të konfirmoj se realizimi i plotë i procesit të balancimit në kompozimin e KQZ-së nuk mund të realizohet kurrsesi në mënyrë të menjëherëshme, sepse kjo do të kërkonte shkrirjen e komisionit aktual zgjedhor, gjë që do të kërkonte veç të tjerave aplikimin e një procedure antikushtetuese. Mungesa në kodin zgjedhor të dispozitave tranzitore, që do të rregullonin ndarjen e mandateve, për tre vendet vakante të krijuara nga përfundimi i mandateve të tre anëtarëve të tij, të fituara me kodin e mëparshëm, ka lejuar mundësitë e keqinterpretimeve politike nga faktorë politikë për qëllime elektorale. Dua të sqaroj se nuk ka asnjë marrëveshje paraprake që do të rregullonte zgjidhjen e tre mandateve, për tre vendet vakante të hapura në KQZ. Marrëveshje, për të cilat pritet thjesht dhe vetëm për angazhimet e palëve në hartimin e kodit të ri elektoral në përputhje me standartet e OSBE-së dhe të ODHIR-it, por dhe në se do të kishte një gjë të tillë, për t'i bërë at të zbatueshme do të duhej të konkretizohej në dispozitat e kodit. Marrëveshjet politike, të çdo natyre qofshin ato, nuk konsiderohen asnjëherë si burim i së drejtës. Në të kundërt, nuk do të bëhet fjalë më për respektimin e kushtetutës dhe të ligjit, por për zbatimin e vendimeve partiake, siç po kërkohet aktualisht të bëhet në vendin tonë, gjë që do të ishte antikushtetuese, antiligjore, sepse në thelb do të kishim jo një shtet ligjor, por një shtet partiak. Kjo është arsyeja që ne e kemi kontestuar kërkesën e opozitës dhe të faktorëve të tjerë që anatemojnë balancën e KQZ-së. //rd//