Gjenerali Sançez: numri i sulmeve kundër trupave të koalicionit ka rënë - 2003-12-13

Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Irak, gjenderali Rikardo Sançez, tha se numri i sulmeve kundër trupave të koalicionit ka rënë në rreth 20 në ditë, pas një ngritjeje muajin e kaluar.

Gjenerali Sançez tha sot se sulmet kanë rënë nga 50 në ditë, kur ishte niveli më i lartë, dhe kjo sepse trupat amerikane po marrin më shumë informacione zbulimi nga popullata irakiane. Por ai shtoi se kryengritësit mund të planifikojnë sulme të tjera në muajt e ardhshëm, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet e rindërtimit.

Gjenerali Sançez tha gjithashtu se zyrtarët do të shqyrtojnë rrogat, që u paguhen ushtarëve në ushtrinë e re irakiane, pasi 300 rekrutë dhanë dorëheqje sepse u ankuan për rrogat e tyre. Gjenerali Sançez u tha sot gazetarëve në Bagdad se ushtarë irakianë të martuar ishin ankuar se rrogat nuk ishin të mjaftueshme për t’u kujdesur për familjet e tyre.

Rreth 400 ushtarë vazhdojnë stërvitjen në batalionin e parë të ushtrisë irakiane, pas dorëheqjeve në fillim të javës. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u paguan ushtarëve një rrogë mujore prej 60 dollarësh. Ndërkohë, një ushtar amerikan dhe dy të tjerë u plagosën dje si pasojë e një sulmi me bombë në anë të rrugës në perëndim të Bagdadit.

//ze//