Presidenti Bush: kapja e Sadamit moment i rëndësishëm - 2003-12-15

Presidenti Bush tha se kapja e Saddam Husseinit shënon një moment të rëndësishëm për popullin e Irakut sepse ajo eliminon një burim frike dhe do t’i lejojë irakianët ta përqendrojnë vemendjen në krijimin e një vendi që vetqeveriset. Presidenti Bush, i cili i bëri komentet në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me popullin irakian për krijimin e një procesi i cili synon gjykimin e ish udhëheqësit irakian në përputhje me kërkesat e sigurimit ndërkombëtar. Ai tha se është e nevojshme që irakianët të përfshihen në këtë proces dhe shprehu besimin se gjykimi do të jetë i paanshëm.

”Ne do të punojmë me irakianët për të përcaktuar mënyrën e gjykimit të tij që do të jetë nën vëzhgimin e hollësishëm ndërkombëtar. Mendoj se kjo është rruga më e mirë,” tha presidenti Bush.

Duke folur në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Bush tha se nuk ka besim tek ish udhëheqësi irakian dhe se nuk beson se ai do të tregojë të vërtetën në gjyq. Kur u pyet në se duhet apo jo që Sadam Huseini të dënohet me vdekje, presidenti nuk u përgjigj drejtëpërdrejt.

”Unë kam pikëpamjet e mija personale mbi mënyrën e trajtimit të tij. Por unë nuk jam shtetas irakian dhe nuk më takon mua të marr vendime të tilla,” tha ai.

Presidenti e filloi takimin me gazetarët duke i hedhur një vështrim arritjeve të tij në politikën e jashtme dhe të brendëshme si dhe objektivave për vitin 2004. Por shumica e pyetjeve kishin të bënin me Irakun dhe kapjen dramatike të Sadam Huseinit.

Edhe njëherë, zoti Bush falenderoi të gjithë ata që morën pjesë në operacionin ushtarak dhe paralajmëroi për rreziqet që dalin përpara. Por ai ishte i prerë kur siguroi popullin irakian se ditët e regjimit bathist kishin marrë fund.

”Qytetarët irakianë nuk kanë pse të kenë më frikë. Tani ata mund të përqëndrohen me vendosmëri në detyrën për të krijuar një shtet vetqeverisës dhe plot shpresa,” tha presidenti Bush.

Presidenti tha se Sadam Huseini ishte i gatshëm të shkatërronte vendin e tij dhe se bota është më mirë tani që ai është kapur.

Që kur u bë publike kapja e Sadam Huseinit të djelën, zoti Bush ka shpenzuar mjaft kohë për të telefonuar udhëheqës të tjerë të botës. Në përfundim të konferencës së tij të shtypit, ai përmendi një nga telefonatat, atë me të atin, ish presidentin George Bush, i cili udhëhoqi luftën kundër Sadam Huseinit më shumë se një dekadë më parë, pas pushtimit nga Iraku të Kuvajtit.

”Biseda ishte e shkurtër. Ai më uroi dhe tha se kjo ishte një ditë e shkëlqyer për vendin. Unë iu përgjigja se ishte një ditë e mrekullueshme edhe për popullin irakian.”

Presidenti shtoi se i kishte thënë të atit se Amerika është tani më e sigurtë, por ishin irakianët ata që vuajtën më shumë gjatë tre dekadave që vendi i tyre sundohej nga Sadam Huseini.//ii