CIA: kasetë e re e Bin Ladenit - 2004-01-05

Agjencia Qendrore e Zbulimit Amerikan, CIA, thotë se kaseta e re që i atribuohet Osama bin Ladenit ka mundësi të jetë autentike.

Një zyrtar i CIA-s tha se ka të ngjarë që zëri që flet në kasetë të jetë shefi i rrjetit terrorist al-Qaida. Kaseta u transmetua mbrëmë nga televizioni arab al-Jazeera.

Zëri u bën thirrje myslimanëve të ndërmarrin një luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Ai thotë se pushtimi i Irakut është preludi i pushtimit të gjithë rajonit të Gjirit Persik.

Folësi u referohet gjithahstu disa ngjarjeve të kohëve të fundit, duke përfshirë edhe arrestimin e ish udhëheqësit të Irakut, Saddam Hussein, dhe nismën izraelito-palestineze të paqes.

Në kasetë nuk përmendet me emër Saddam Husseini, por thuhet se udhëheqësit arabë duhet të shqetësohen për arrestimin e shokëve të tyre, që dikur bashkëpunuan me Shtetet e Bashkuara dhe hynë në luftë me Iranin. Ky përshkrim i përshtatet Saddam Huseinit, i cili dha urdhër për pushtimin e Irakut në vitin 1980 dhe kishte marrëdhënie normale me Uashingtonin deri sa Iaku pushtoi Kuvajtin në vitn 1990.

Kaseta e fundit është e para në disa muaj që i atribuohet udhëheqësit të al-Qaidës.

Transmetimi i kasetave që mendohet se vinin nga Bin Ladeni, në të kaluarën ka qenë shqetësim për zyrtarët amerikanë të zbulimit, të cilët i tremben mundësisë që këto të jenë sinjal për fillimin e një sulmi.// lk //