SHBA: Kosova duhet të përqëndrohet në përmbushjen e standarteve të OKB-së - 2004-02-06

Shtetet e Bashkuara u bënë dje thirje udhëheqësve të Kosovës të përqëndrohen në përmbushjen e standarteve të Kombeve të Bashkuara për demokraci dhe jo në pavarësinë e mundshme të Kosovës nga Serbia dhe Mali i Zi. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ndodhet në Washington ku ka zhvilluar takime me Sekretarin e Shtetit Colin Powell dhe zyrtarë të tjerë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton nga Departamenti i Shtetit.

Megjithëse udhëheqësit e Kosovës thonë se paqartësia në statusin e ardhshëm të Kosovës po dëmton ekonominë, Departamenti i Shtetit thotë se vëmendja duhet përqëndruar në krijimin e një shoqërie demokratike shumë-etnike dhe jo në statusin përfundimtar të saj.

Këto komente u bënë pas bisedimeve që zhvilluan të mërkurën Sekretari i Shtetit dhe kryeministri Rexhepi, i cili erdhi në Washington për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit që u zhvilluan dje, dhe që tërheqin çdo vit një numër figurash politike nga mbarë bota.

Në dhjetor Kryeadministratori i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ish-kryeministri finlandez Harri Holkeri paraqiti një numër standartesh për të ndërtuar demokracinë në Kosovë.

Këto standarte do të shërbejnë si bazë për vlerësimin që Kombet e Bashkuara do të bëjnë në mes të vitit 2005 lidhur me gjendjen në Kosovë për të përcaktuar nëse ka ardhur momenti i diskutimit të statusit të saj përfundimtar.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher tha se gjatë bisedave me zotin Rexhepi, Sekretari Powell dhe nën-sekretari i shtetit Marc Grossman theksuan rëndësinë e zbatimit të standarteve të Kombeve të Bashkuara dhe bashkëpunimit me administratën e zotit Holkeri.

“Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe të udhëheqjes së Përfaqësuesit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara Hari Holkeri për të ngritur një shoqëri shumë-etnike dhe demokratike në Kosovë, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë moment, ne mendojmë se vëmendja duhet të përqëndrohet në arritjen e përparimit në përmbushjen e standarteve, veçanërisht atyre që lidhen me çështjet e një shoqërie shumë-etnike, dhe jo në statusin përfundimtar. Aktualisht nuk kemi përcaktuar ende një qëndrim lidhur me diskutimet për statusin përfundimtar.”

Zoti Boucher tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë angazhimin e tyre për zhvillimin e Kosovës si dhe do të bashkëpunojnë me aleatët e tyre për të krijuar një Kosovë të qëndrueshme dhe demokratike.

Në një intervistë për gazetën Washington Times, zoti Rexhepi tha se administrata e Kombeve të Bashkuara e ka tejkaluar afatin e logjikshëm të qëndrimit, dhe se paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për t’u përqëndruar në “vizionin përfundimtar” e ka bërë shumë më të vështirë qeverisjen e Kosovës.

Ai tha se e ardhmja e paqartë e Kosovës ndër të tjera po dekurajon edhe investitorët dhe po vonon marrëveshjet për privatizim të industrive të zotëruara nga shteti.

Zoti Rexhepi shtoi gjithashtu se shqiptarët e Kosovës, të cilët përbëjnë 90 për qind të popullsisë, mbështesin në masë dërrmuese idenë e pavarësisë.

Ndërkaq, serbët e Kosovës, shumica e të cilëve u larguan nga Kosova gjatë luftës, duan të mbeten pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi. Popullsia prej rreth 80 mijë serbësh që ndodhet aktualisht në Kosovë jeton kryesisht e përqëndruar në lagje të mbrojtura nga forcat e sigurimit të Natos të dislokuara në Kosovë.

//ze//