Vietnam: vazhdon të mohohet liria fetare - 2004-02-27

Qeveria e Vietnamit vazhdon të burgosë njerëzit për shkak të bindjeve dhe praktikave të tyre fetare. Në disa zona, kishat janë mbyllur dhe disa të tjera janë shkatërruar. Ka pasur njoftime të besueshme se protestantët në disa fshatra në veriperëndimin e vendit dhe pakica të ndryshme etnike protestante në Lartësitë Qendrore janë detyruar të heqin dorë nga besimi i tyre fetar.

Kisha e Bashkuar Budiste e Vietnamit ka vazhduar punën nën kufizime të rrepta për më shumë se 20 vjet. Aktualisht, disa prej murgjëve të saj të lartë mbahen në paraburgim, pas një përpjekje në shator të vitit të kaluar për të organizuar një udhëheqje të re. Patriku Thich Huyen Kuang dhe zëvendësi i tij, Thich Quang Do, që të dy të emruar kandidatë për Çmimin Nobel të Paqes, mbahen aktualisht të izoluar në qeli të veçanta.

Prifti katolik vietnamez, Tadeus Uin Van Li, mbështetës i flaktë i lirisë fetare dhe demokracisë, është dënuar me 15 vjet burgim dhe 5 vjet arrest shtëpiak për shkak se kishte depunuar para Komisionit amerikan mbi Lirinë Fetare Ndërkombëtare. Dënimi i tij u ul kohët e fundit në 10 vjet. Askush nuk duhet të dënohet vetëm për shprehjen paqësore të pikëpamjeve.

Presidenti Bush thotë se “politika amerikane duhet të jetë e palëkundshme për sa u përket kërkesave të dinjitetit njerëzor: shteti ligjor, liria e fesë, liria e fjalës, toleranca fetare dhe etnike dhe drejtësia e barabartë”: “Shoqëritë e suksesshme, thotë Presidenti Bush, garantojnë lirinë fetare”.

Liria e fjalës, liria e shtypit dhe liria fetare janë në zemër të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, standarde të cilat qeveria e Vietnamit ka thënë se do t’i respektojë.