Presidenti Bush komenton vrasjen e Sheikut Ahmed Jasin - 2004-03-28

Forcat izraelite vranë sheikun Ahmed Jasin, themelues i grupit terrorist palestinez Hamas. Kjo organizatë u themelua në vitin 1987. Qëllimi i saj është shkatërrimi i shtetit të Izraelit dhe zëvëndësimi i tij me një shtet fundamentalist islamik. Hamasi përkrahet nga Irani dhe Siria.

Presidenti Bush komentoi rreth vrasjes së Sheikut Jasin: “Për sa i përket Lindjes së Mesme, ky ka qenë një rajon i trazuar dhe sulmet në këtë rajon kanë qenë shqetësuese. Duhet të ketë një përpjekje të përqëndruar dhe të bashkërenduar nga të gjitha palët për të luftuar terrorizmin. Çdo vend ka të drejtë ta mbrojë vetveten nga terrorizmi. Izraeli ka të drejtë ta vetë-mbrojë nga terrorizmi. Dhe ndërsa Izraeli vetë-mbrohet, shpresoj se autoritetet izraelite do të sigurohen që të vazhdojnë rrugën drejt paqes.”

Siç ka thënë ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Negroponte, “ngjarrjet duhen shikuar në një aspekt më të gjerë”. Sheiku Ahmed Jasin, tha ai, ishte udhëheqës i një organizate terroriste, e cila me kreanari ka marrë përgjegjësinë për sulme pa dallim kundër civilëve, përfshirë këtu sulmin e fundit në Portin e Ashdodit, ku u vranë 10 Izraelitë. Sheiku Jasin predikonte urrejtjen dhe lavdëronte sulmet vetëvrasëse në autobusë, restorante dhe kafene. Ai, shtoi ambasadori Negroponte, kundërshtonte ekzistencën e Izraelit dhe u përpoq në mënyrë aktive të dëmtonte përpjekjet për arritjen e një zgjedhjeje të konfliktit në Lindjen e Mesme nëpërmjet krijimit të dy shteteve, atij izraelit dhe atij palestinez.

Megjithë zbrapsjet e fundit, thotë presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për të gjetur një zgjedhje paqësore të konfliktit izraelito-palestinez. “Një zgjedhje me dy shtete për të mirën e popullit Izraelit, Një zgjedhje me dy shtete për të mirën e popullit palestinez.”

Nëse rrethanat do të lejojnë, thotë presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një ekip në Lindjen e Mesme për të parë se a mund ta mbajmë gjallë procesin drejt paqes.//IB