Colin Powell: Iraku nuk mund të krahasohet me Vietnamin - 2004-04-09

Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell u tha dje senatorëve se nuk mendon që rebelimi i milicive të klerikut shiit Moktada al-Sadr në Irak do të çojë në një shpërthim kryengritjesh më të gjera nga shumica shiite në vend. Në një seancë me pyetje-përgjigje para një nënkomisioni të Senatit, sekretari Powell hodhi gjithashtu poshtë krahasimet e gjendjes aktuale në Irak me përvojën e Shteteve të Bashkuara në Vietnam.

Sekretari Powell i cilësoi si shqetësuese aktet e fundit të dhunës si dhe shtimin e numrit të viktimave në radhët e forcave amerikane dhe atyre të koalicionit.

Por ai tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nuk do të sprapset nga mbeturinat e regjimit të mëparshëm, terroristët e huaj ose Moktada al-Sadr dhe përkrahësit e tij, të cilët ai i përshkroi si “një bandit dhe turma e tij, të cilët janë fshehur nën petkun e besimit fetar.”

Sekretari i Shtetit i bëri këto komente para nënkomisionit të Senatit për caktimin e fondeve, gjatë seancës së organizuar për të dëgjuar projekt-buxhetin e Departamentit të Shtetit për vitin e ardhshëm, në të cilën mbizotëruan diskutimet mbi gjendjen në Irak dhe shtimi kohët e fundit i sulmeve ndaj forcave të koalicionit, të organizuara nga përkrahës të klerikut al-Sadr.

Në një dialog me senatorin demokrat Patrick Leahy, sekretari Powell tha se kryengritja është një problem i përcaktueshëm, siç u shpreh ai, dhe shtoi se nuk mendon që zoti al-Sadr gëzon mbështetje të madhe nga grupet shiite në Irak ose jashtë vendit.

"A është e vërtetë që kjo kryengritje shiite nuk kufizohet vetëm tek kleriku al-Sadr dhe përkrahësit e tij?," pyeti senatori Leahy.

"Kjo kryengritje u fillua nga Sadri dhe përkrahësit e tij si dhe milicia Mahdi, e cila i përgjigjet atij. Nuk është e qartë ende nëse shtrihet në pjesën më të madhe të komunitetit shiit. A mund të thuhet se ai ka tërhequr një numër shtesë përkrahësish gjatë javës së fundit? Ndoshta, por ai nuk ka mbështetjen e të gjithë komunitetit shiit."

Sekretari tha se një numër figurash të larta shiite, përfshirë edhe klerikun e lartë Ajatollah Ali al-Sistani, po bëjnë thirje për gjakftohtësi, prandaj nuk do të ishte e saktë të thuhej se sulmet e pasuesve të al-Sadrit pasqyrojnë një kryengritje masive shiite.

Njëkohësisht, sekretari Powell tha se forcat e koalicionit nuk duan që mbështetja e tij të rritet, prandaj duhet që ata të shkatërrojnë milicitë Madhi, dhe pikërisht ky është synimi i komandantëve amerikanë.

Gjatë seancës me pyetje, zoti Powell hodhi gjithashtu poshtë dhe i cilësoi si potencialisht të dëmshme komentet e kohëve të fundit të senatorit demokrat Ted Kennedy, i cili e ka krahasuar gjendjen aktuale në Irak me përvojën amerikane në Vietnam.

Zoti Powell, i cili ka qenë oficer gjatë luftës në Vietnam, tha se rrethanat në Irak janë krejt të ndryshme nga Vietnami.

"Populli irakian dëshiron të jetojë i lirë dhe në një shoqëri demokratike. Jashtë Irakut nuk ekzistojnë shtete të mëdha që po e furnizojnë këtë vend me armë dhe forca. Ky është një problem i zgjidhshëm, dhe ne duhet t’i përmbaheni kursit tonë dhe të mos e njollosim punën e mirë që po bëjmë me krahasime me Vietnamin."

Senatori Leahy tha se vazhdimi në kursin aktual nuk është një strategji me rezultate pozitive. Ai tha se presidenti Bush duhet të kërkojë një rrugëdalje me përkrahje shumë-palëshe, veçanërisht nga vende arabe dhe myslimane, për të zgjidhur situatën e sigurimit që po keqësohet më tej.

Zoti Leahy tha se duhet të kërkohet edhe emërimi i një administratori të Kombeve të Bashkuara për të punuar nga afër me administratën e përkohshme irakiane e cila do të marrë pushtetin më 30 qershor, për ta bërë të qartë siç tha senatori se “kjo nuk është thjeshtë një qeveri kukull e cila u përgjigjet Shteteve të Bashkuara.”

//ze//