Shqipëri: Punonjësit e doganave do t'i nënshtrohen ligjit për Shërbimin Civil - 2004-04-17

Në Shqipëri edhe punonjësit e administratës doganore do t’i nënshtrohen ligjit të Shërbimit Civil i cili parashikon kritere të qarta të përzgjedhjes dhe karrierës.

Kjo u bë e njohur të shtunën nga ministri i Financave Arben Malaj, sipas të cilit ky vendim i qeverisë do të sjellë stabilitet dhe transparencë në administratën doganore. Doganat shqiptare konsiderohen si një nga institucionet me nivele të larta korrupsioni.

Në Shqipëri, punësimi në dogana është parë gjithmonë si një privilegj dhe mundësi vetëm e atyre që gëzojnë lidhje të forta me pushtetarë dhe politikanë.

Sigurimi i fitimeve të konsiderueshme brenda një kohe të shkurtër nëpërmjet abuzimit dhe shfrytëzimit të tentativës së përhershme të tregtarëve për të shmangur pagesat e taksave e ka bërë profesionin e doganierit të lakmueshëm. Kjo edhe për faktin tjetër se pothuajse gjithnjë ndëshkimet e rrepta ndaj abuzuesve kanë munguar.

Vendimi i fundit i qeverisë për të futur zbatimin e ligjit të shërbimit civil edhe për punonjësit e kësaj administrate synon të ulë dhe të kufizojë gjithnjë e më tepër korrupsionin dhe të forcojë nga pikëpamja profesionale doganat të ardhurat prej të cilave vazhdojnë të zënë një peshë të rëndësishme në buxhetin e shtetit shqiptar.

Ministri i Financave Arben Malaj tha të shtunën se ky vendim është hapi i parë, pasi deri në 1 janar të vitit të ardhshëm do të plotësohet i gjithë kuadri për zbatimin e plotë. Sipas ministrit, objektivat kryesore që synohen të arrihen janë:

"E para dhe kryesorja stabilitet në administratë, e dyta një proces më transparent dhe i audituar i rekrutimit të punonjësve të administratës doganore, e treta, një proces i qartë i përzgjedhjes së momenteve të karrierës së tyre dhe e katërta një qëndrueshmëri më e madhe në transferimet e brendshme duke përfunduar me një system të plotë të trajnimit dhe eficencës së administratës doganore. Të gjithë këto duhet të shoqërohen me impaktin pozitiv në eficencën e administratës doganore, në plotësimin e misioneve që ajo ka dhe duhet të shoqërohen me një efekt pozitiv në drejtim të uljes së abuzivitetit dhe korrupsionit në administratën doganore", deklaroi ministri i Financave.

Ministri Malaj deklaroi gjithashtu se brenda një muaji do të bëhet e mundur që në të gjitha pikat doganore, tatimore e të thesarit e buxhetit do të jenë të disponueshme për publikun për kodin etik të punonjësit, adresat e plota për asistencë për publikun dhe adresat për të denoncuar çdo abuzim të punonjësve të këtyre institucioneve.

Administrata, jo vetëm ajo doganore konsiderohet si një nga pikat e dobëta të shtetit shqiptar. Edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian thekson se ndonëse janë shënuar përparime në përdorimin e procedurave profesionale dhe të drejta të përzgjedhjes, emërimet subjektive ngelen mëse të shpeshta. //kk//