Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje kryeministrit izraelit Ariel Sharon që të mbajë fjalën e tij dhe të mos dëmtojë udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat. Zyrtarë të administratës së presidentit Bush thanë se fjala është fjalë.
Ata i bënë këto komente pasi kryeministri Sharon tha se nuk ndjehet më i detyruar ndaj premtimit që i bëri presidentit Bush para 3 vjetësh kur pranoi që të mos e dëmtonte fizikisht zotin Arafat.
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Bush tha se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë plotësisht të qartë se do të kundërshtojnë çdo veprim për të dëmtuar Jaser Arafatin dhe se qëndrimi amerikan i është përsëritur autoriteteve izraeite pas komenteve më të fundit të kryeministrit Sharon.
Kryeministri izraelit tha gjatë një interviste televizive dje se ai i tha presidentit Bush gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar se ai nuk ndjehej i detyruar ndaj një premtimi që u kishte dhënë Shteteve të Bashkuara para 3 vjetësh për të mos e dëmtuar fizikisht zotin Arafat.
Zyrtari i lartë i administratës, i cili foli me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, tha se kjo çështje u diskutua në takimin e 14 prillit dhe se presidenti përsëriti qëndrimin amerikan rreth një veprimi të tillë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë premtimin origjinal të zotit Sharon plotësisht të vlefshëm dhe se, siç u shpreh ai, “ne e konsiderojmë zotimin, zotim.”
Administrata e presidentit Bush ka kundërshtuar vrasjen e qëllimshme nga Izraeli të palestinezëve dhe mohoi se i ka dhënë dritën jeshile Izraelit për sulmin me helikopter në Gaza të shtunën e kaluar, nga i cili u vra udhëheqësi i grupit ekstremist palestinez, Hamas, Abdul Aziz Rantisi.
//ze//