Në një projektrezolutë të propozuar në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike shprehet zhgënjim ndaj mungesës së bashkëpunimit të plotë të Iranit lidhur me programin e tij bërthamor.
Pritet që diplomatët në Vjenë ta miratojnë këtë javë projektrezolutën e propozuar së bashku nga Britania, Franca dhe Gjermania. Në dokument thuhet se bashkëpunimi iranian nuk ka qenë i plotë dhe as në kohë dhe rithekson kërkesat që Irani të paraqesë gjithë informacionin rreth veprimtarive të tij në fushën bërthamore.
Në dokument nuk jepen afate dhe as përmendet mundësia e vendosjes së sanksioneve. Presidenti iranian, Muhamed Khatami, ka thënë se bashkëpunimi me agjencinë nuk është i sigurt nëse ajo nuk zbut trysninë ndaj Iranit.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se kërcënimet janë të kota dhe i bëri thirrje Teheranit të përmbushë premtimet që ka bërë. Teherani këmbëngul që programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, por zyrtarët amerikanë akuzojnë se Irani ka një program të fshehtë armësh.