Carla del Ponte akuzon autoritetet serbe se kanë lejuar persona të akuzuar për krime lufte të shpëtojnë - 2004-07-19

Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë ka akuzuar autoritetet serbe se kanë lejuar persona të akuzuar për krime lufte të shpëtojnë.

Zonja Carla del Ponte tha sot se ish udhëheqësi i serbëve të Kroacisë Goran Haxhiç shpëtoi javën e kaluar, ditën që akt-akuza iu dorëzua autoriteteve serbe.

Kryeprokurorja tha se kjo dëshmohet në disa fotografi ku shihet zoti Haxhiç duke u larguar nga shtëpia e tij me makinë.

Ajo paralajmëroi autoritetet në Serbi dhe Mal të Zi se nëse nuk fillojnë menjëherë bashkëpunimin me gjykatën e Hagës, ajo do t’ia paraqesë këtë çështje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky incident ndodhi vetëm disa ditë pasi qeveria serbe premtoi se do ta trajtonte bashkëpunimin me gjykatën e krimeve të luftës si përparësi kryesore.

Ndërkohë, gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte thotë se synon që ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç të përfundojë paraqitjen e argumentave mbrojtëse në tetor të vitit 2005.

Gjykata e Hagës thotë se pasi të rifillojë procesi më 31 gusht, zoti Millosheviç do të ketë kohë të mjaftueshme për të paraqitur argumentat mbrojtëse.

Gjykatësit kanë shqyrtuar mundësinë për të detyruar ish-udhëheqësin 62-vjeçar të pranojë një avokat mbrojtës pavarësisht nga këmbënguljet e tij për t’u vetmbrojtur. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu prokurorët të paraqesin propozime për masa të mundshme nëse zoti Millosheviç nuk pranon të bashkëpunojë me avokatin.

Problemet shëndetësore të të pandehurit kanë shkaktuar vonesa të përsëritura në procesin gjyqësor që vazhdon prej 2 vjetësh.

Mbi zotin Millesheviç rëndojnë akuzat për krime lufte dhe gjenocid lidhur me konfliktet e viteve ’90 në ish-Jugosllavi.

//ze//