Shkollat verore në Amerikë - 2004-08-01

Kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara është diskutuar ideja e vazhdimit të shkollës gjatë gjithë vitit. Studentët nuk do të kishin pushime të gjata gjatë muajve të verës, por marrin pushime të shkurtra gjatë gjithë vitit. Megjithatë jo shumë shkolla ndjekin këtë praktikë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt ato kanë shpesh programe verore.

Në shumë raste, studentët marrin klasa vere ku përsëriten lëndët ku ata kanë më shumë mangësi. Në këtë mënyrë ata kanë një shans të dytë për suksese. Por shkollat ofrojnë gjithashtu klasa vere për studentët që duan të jenë të lirë nga kërkesat e vitit të ardhshëm shkollor.

Në përgjithësi studentët në këto klasa kërkojnë të marrin më pak lëndë gjatë vitit pasi janë të ngarkuar me aktivitete të tjera, si sport apo programe muzikore.

Në shkollat e verës studentët bëjnë të njëjtën sasi detyrash siç do të bënin gjatë gjithë vitit. Por të gjitha këto realizohen në një kohë të shkurtër, një ose dy muaj. Ata thonë se programet e verës kanë të bëjnë më shumë me lexime dhe detyra dhe asgjë më tepër. Disa ekspertë të arsimit janë të shqetësuar për studentët e shkollave të mesme të cilët marrin programe verore për shkak të trysnisë për të hyrë në universitete të mira.

Gazeta New York Times shkruante kohët e fundit rreth klasave të verës në një nga shkollat e mesme më të mira në Shtetet e Bashkuara. New Trier High School në Winnetka, Illinois. Gati 600 studentë ishin në shkollën verore këtë sezon. Vetëm 20 prej tyre po i përsërisin klasat ku ngelën. Të tjerët kanë marrë kurse të vështira si fizikë dhe histori.

Studentët thonë se marrja e leksioneve gjatë sezonit të verës u krijon atyre mundësinë të marrin lëndë më të vështira gjatë vitit. Ata thonë se kjo u jep atyre mundësinë të tregojnë se jo vetëm i marrin me seriozitet studimet e tyre por edhe se ata kanë bërë programin më të vështirë që ofron shkolla e mesme.

Një vend tjetër me shumë studentë në shkollën e verës është Palo Alto në Kaliforni. Gazeta Mercury News njoftoi se rreth 20 përqind e studentëve në shkollat e qytetit marrin klasa gjatë verës. Ky numër përbën më shumë se 2 mijë adoleshentë.

Një e treta e tyre marrin pjesë në klasa ku kanë ngelur. Të tjerët marrin lëndë për të cilat nuk kanë kohë gjatë sezonit të rregullt shkollor. Por ata nuk marrin lëndë si fizika apo historia. Studentët në Palo Alto i tërheqin lëndë si letërsia krijuese, kinematografia dhe gatimi.