Irak: arrihet marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit në Naxhaf  - 2004-08-27

Kleriku më i lartë shiit i Irakut, Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani, ka arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Naxhaf midis klerikut Moktada al-sadër dhe forcave amerikane dhe irakiane.

Ndihmës të Ajatollah Sistanit thonë se marrëveshja u arrit në Naxhaf të enjten, kur dhjetëra mijëra irakianë demonstruan në mbështetje të thirrjeve për t’i dhënë fund rebelimit.

Marrëveshja, e cila u pranua nga qeveria irakiane, parashikon që njerëzit e armatosur të largohen nga Naxhafi dhe qyteti fqinj Kufa, të cilët do të shpallen zona pa armë dhe siguria e tyre të lihet në duar të forcave irakiane. Ajo parashikon që nga Naxhafi të largohen edhe forcat e huaja dhe që qeveria të paguaj kompensim për viktimat e luftimeve.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ende nuk ka komentuar rreth këtij zhvillimi. Guvernatori i Naxhafit tha se anëtarët e armatosur të milicisë duhet të largohen sot në mëngjes nga Xhamia e Imam Aliut, ku ata janë ngujuar për javë të tëra.

Po të enjten, dhuna në qytetin Kufa la 74 demonstrues shiit të vrarë dhe mbi 300 të tjerë të plagosur