Havier Solana dhe Chris Patten vizitojnë Beogradin - 2004-10-05

Thirrjeve për pjesmarrjen e serbëve në zgjedhjet parlamentare të Kosovës u janë bashkuar edhe dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe Chris Patten, të cilët kanë shkuar sot në Beograd për një seri takimesh me autoritetet e atjeshme.

Gjatë takimeve ata u bënë thirrje udhëheqësve të Beogradit që t'u kërkojnë serbëve të Kosovës të dalin në votime. Të dy zyrtarët priteshin të debatonin edhe lidhur me bashkëpunimin e Beogradit më Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte dhe të ardhme e bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi, diskutime këto që pasojnë vizitën e fundit të kryeprokurores së kësaj Gjykate Carla del Ponte e cila i ka bërë thirrje Beogradit që të dorëzojë të akuzuarit për krime lufte.

Ndërkohë, po sot në Prishtinë filloi një proces gjyqësor kundër pesë shqiptarëve të akuzuar për krime kundër bashkëkombësve të tyre gjatë luftës në Kosovë. Pesë të akuzuarit, pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për rrëmbimin, arrestimin e paligjshëm, rrahjen, torturimin dhe vrasjen e katër personave dhe tentim vrasjen e personit të pestë i cili ka mbijetuar.

Sipas akuzës veprat janë kryer gjatë periudhës shkurt-mars të vitit 1999. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës për të cilët besohet se kanë bashkëpunuar me autoritetet serbe gjatë luftës së Kosovës. Të akuzuarit që po gjykohen nga një trup i gjykatësve ndërkombëtarë, janë arrestuar gjatë një aksioni të trupave të NATO-s dhe policisë së Kombeve të Bashkuara para rreth një viti në komunën e Kaçanikut në Kosovën jugore. Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre hodhën poshtë akuzat ndaj tyre. Ky është gjykimi i dytë ndaj pjestarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime kundër bashkëkombësve të tyre gjatë luftës në Kosovë.

Në verë të vitit të kaluar katër ish luftëtarë, mes të cilëve një oficer i lartë u dënuan me heqje lirie prej 5 deri në 17 vjet, nën akuzat se kanë urdhëruar arrestimin e paligjshëm, torturimin dhe vrasjen e pesë shqiptarëve të dyshuar si bashkëpuntorë të regjimit serb.

//ze//