Mark Grosman komenton për çështjen e Kosovës  - 2004-10-06

Evropa nuk mund të jetë e integruar, e lirë dhe në paqe, në qoftë se Ballkani nuk është i stabilizuar dhe pjesë e saj, tha gjatë një bisede me gazetarët në Departamentin amerikan të Shtetit, Marc Grossman, nën-sekretari i Shtetit për Çështjet Politike. Tema kryesose e diskutimit ishte çështja e Kosovës dhe zgjedhjet e 23 tetorit.

Nënsekretari i Shtetit, Marc Grossman, tha se Shtetet e Bashkura mbështesin misonin dhe përpjekjet e Administratorit të ri të Kosovës, Soren Jessen-Petersen, dhe të komandantit të ri të K-FOR-it, gjeneralit De Kermabon, gjë të cilën ai ua kishte shprehur atyre gjatë vizitës në Kosovë. Zoti Grossman tha se në takimin me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, si dhe me përfaqësuesit e komuniteteve të Kosovës, ai u theksoi atyre se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm dhe i vendosur të mbështesë përpjekjet për ndërtimin e një Kosove shumë-etnike, si pjesë e një Evrope të integruar, të lirë dhe në paqe. Nënsekretari i Shtetit, Grossman, tha se ky është vizioni i një Kosove në të cilën të gjithë popujt e saj, pavarësith nga origjina etnike, raca dhe feja të jenë të lirë të jetojnë, të punojnë dhe të udhëtojnë pa frikë, ku të mbizotërojë toleranca, drejtësia dhe paqa për të gjithë.

Gjithkush i kupton aspiratat e shqiptarëve të Kosovës dhe dëshirën e tyre për të qënë pjesë e Evropës, tha zoti Grossman, por ata duhet të plotësojnë kushtet e vëna nga komuniteti ndërkombëtar dhe shtoi prerazi se me standarded nuk do të bëhet asnjë kompromis. “Në qoftë se aspirata e popullit të Kosovës është që të jetë pjesë e Evropës së integruar, të lirë dhe në paqe, edhe standarded duhet të jenë të nivelit evropian. Kam bindjen se UNMIK-u ka punuar me këmbëngulje për të patur standarde në nivelit evropian. Këto nuk janë standarde tepër të vështira për t’u plotësuar, por për të qënë pjesë e Evropës këto standarde duhet të mbeten të larta ashtu siç janë”.

Hapi i parë në këtë drejtim tha nënsekretari i Shtetit, Marc Grossman, janë zgjedhjet e përgjithsme që do të mbahen në Kosovë në fund të muajit. “Le të shfrytëzojmë të gjitha energjitë tona që prej tani e deri më 23 tetor për të patur zgjedhje të sukseshme. Që nga 23 tetori e deri në mes të vitit 2005 të vënë në zbatim standarded dhe në mes të 2005 do të diskutojmë për të ardhmen e Kosovës”.

Zyrtarët amerikanë janë shprehur vazhdimisht se për stabilitetin në Ballkan, Shqipëria ka kushtet të luajë një rol konstruktiv si vend mik i Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, edhe një herë nënsekretari amerikan i Shtetit, Marc Grosman, theksoi se ai vend ka probleme të mprehta për të zgjidhur si korrupsioni, krimi i organizuar dhe trafiku i qenieve njerëzore.

“Ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt integrimit euro-atlantik, dhe pjesëmarrjes në institucionet euro-atlantike, këto janë çështje për të cilat do të gjykohet qeveria dhe populli shqiptar”.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Marc Grossman, iu përgjegj pyetjeve të gazetarëve edhe për një sërë çështjesh të tjera me interes rajonal lidhur me Sërbinë e Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë. Ai theksoi se Evropa nuk mund të jetë e integruar, e lirë dhe në paqe, në qoftë se Ballkani nuk është i stabilizuar dhe pjesë e saj.