Presidenti Bush merr pjesë në takimin e APEC-ut në Kili - 2004-11-20

Presidenti Bush i bëri thirje komunitetit ndërkombëtar të punojë së bashku për t’iu kundërvënë kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut dhe Irani.

Presidenti tha sot në takimin e nivelit të lartë për Bashkëpunimin Ekonomik të rajonit Azi-Paqësor - APEK - se Koreja e Veriut do të dëgjojë një mesazh të vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, i cili do të kërkojë ndalimin e programit të armëve bërthamore.

Lidhur me Iranin, presidenti Bush i cilësoi si shumë serioze njoftimet se ky vend po prodhon sasi të mëdha të një agjenti që mund të përdoret për krijimin e armëve bërthamore.

Diplomatët perëndimorë thonë se Irani e ka shkallëzuar prodhimin e gazit heksaflorid uraniumi disa ditë para afatit për ngrirjen e veprimtarive të tilla.

Ndërkaq sot në Santiago qindra vetë kishin dalë në rrugë për të protestuar kundër politikave amerikane. Policia thotë se të paktën dy oficerë dhe një civil u plagosën nga armë zjarri gjatë përleshjeve të sotme.