Në Irak, ekstremistët e kanë intensifikuar fushatën e tyre të frikësimeve dhe kërcënimeve në përpjekje për bllokuar pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e 30 janarit.
Grupi kryengritës Ansar al-Suna tha se ka ekzekutuar 15 anëtarë të Gardës Kombëtare Irakiane. Ky pretendim, i hedhur në një faqe interneti, ende nuk është vërtetuar, por 15 anëtarë të Gardës Kombëtare ishin rrëmbyer javën e kaluar në Bagdad.
Në një incident tjetër në qytetin Hilla, në jug të Bagdadit, zyrtarët thonë se 9 ushtarë irakianë dhe një civil u plagosën kur një makinë bombë shpërtheu pranë një baze ushtarake.
Ndërkohë, zyrtarët brazilianë po hetojnë pretendimet e ekstremistëve se ata po mbajnë peng një qytetar brazilian, i cili ishte rrëmbyer në një pritë nga fillimi i javës.
Ndërsa ambasada kineze në Bagdad tha se 8 punëtorët kinezë të rrëmbyer nga kryengritësit në fillim të janarit, janë liruar.
Ndërkaq, ministri irakian i mbrojtjes thotë se qeveria do të arrestojë udhëheqësin e Kongresit Kombëtar Irakian, Ahmed Çalabi, nën akuzat se ka fyer ministrinë.